Po raportohet se prek fëmijët: Çfarë është gripi i domates?
Një shpërthim i një infeksioni të ri viral, të referuar si gripi i domates, i cili u zbulua për herë të parë te fëmijët në Kerala, Indi, në maj, është përhapur në dy vende të tjera.
Sipas një artikulli në “Lancet Respiratory Medicine”, 82 fëmijë të moshës nën pesë vjeç ishin diagnostikuar me virusin në Kerala, Indi, që nga 26 korriku.
Rastet tani janë raportuar në vendin fqinj Tamil Nadu dhe në Odisha në lindje, ku fëmijët deri në nëntë vjeç janë infektuar, edhe pse virusi zakonisht prek moshat nën pesë vjeç.
Shkencëtarët po përpiqen të identifikojnë saktësisht se çfarë është ky virus. Ai njihet si gripi i domates për shkak të flluskave të kuqe të dhimbshme që shkakton në trup dhe është shumë ngjitës. Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm sepse përhapet lehtësisht përmes kontaktit të ngushtë, si p.sh. nëpërmjet pelenave, prekjes së sipërfaqeve të papastra ose futjes së gjërave në gojë.
“Infeksioni i rrallë viral është në gjendje endemike dhe konsiderohet jo-kërcënues për jetën; megjithatë, për shkak të përvojës së tmerrshme të pandemisë Covid-19, menaxhimi vigjilent është i nevojshëm për të parandaluar shpërthime të mëtejshme,” thuhet në artikullin e Lancet.
Mjekët thonë se diagnostikimi i gripit të domates është i vështirë, sepse simptomat e tij janë shumë të ngjashme me ato të Covid, Chikungunya dhe ethet denge. Dy të fundit janë të zakonshme në Indi gjatë sezonit të shirave dhe përhapen nga mushkonjat.
Simptoma të gripit të domates janë: irritim i lëkurës; këmbët dhe duart bëhet më të bardha; lodhje, dhimbje barku, të vjella/të përziera, diarre; kollitje, ethe, temperaturë, tështima dhe rruf; dhimbje kyçesh dhe dhimbje trupi.