Prindër, mos jini të huaj për fëmijët. Kontrolloni ndjenjat, ruani gjakftohtësinë

“Mos i thuaj mamit apo babait”, “vetëm mami apo babi mos ta marri vesh”. Këto shprehje të frikshme dhe të dhimbshme njëkohësisht, që tregojnë se sa të huaj janë fëmijët me prindërit e tyre, vazhdojnë të jenë prezente, edhe pse kohët kanë ndryshuar, këto shprehje nuk kanë ndryshuar, ato i rezistojnë kohës.

Ku është burimi i kësaj ndjenje frike dhe turpi nga prindërit që provon fëmija? Kjo “gjë” nuk duhet lënë në heshtje, por duhet të na bëjë të mendojmë se ku e kemi të keqen ne të rriturit. Çfarë u bëjmë fëmijëve që frikësohen e turpërohen kaq shumë, sa harrojnë mjedisin dhe të tjerët?

Prindër, të rritur, mbase ka ardhur koha që të merremi seriozisht me mënyrat tona të sjelljes që të mos jemi të huaj për fëmijët. Mendoni një fëmijë në prag adoleshence apo adoleshent që ka një problem dhe nuk di me kë të flasë pasi prindërit janë të parët që e gjykojnë. Çfarëdo që të kenë bërë, do të ishte më mirë të flitej për të mos u shtyrë më thellë në kaosin që provokon dyshimi. Në vend që ti lemë vetëm, më mirë të kontrollojmë atë që ndjejmë ne dhe të ruajmë gjakftohtësinë që të mbajmë gjallë komunikimin. Të mos i lemë vetëm përballë të panjohurave dhe të keqes. Më mirë ti ndihmojmë duke u kërkuar të falur që jo gjithmonë ne të rriturit arrijmë ti kuptojmë apo, jo gjithmonë arrijmë të bëjmë më të mirën. Të përpiqemi ti nxitim edhe ata që të kenë kurajo për të folur e treguar se si ndihen që bëjnë veprime që shpesh i rrituri i keqkupton apo nuk i pranon si të mira. Mbase duke folur, duke ruajtur komunikimin do të ndihmojmë njëri tjetrin për të nxjerrë më të mirrën nga shpirti dhe të mos jemi të huaj.

Share With:
Translate »
627 Views