Prindërit shitën shtëpinë për t’i bërë realitet ëndrrën të birit, sot ai falenderon nënën

Agroni ka thirrur në “Ka Një Mesazh Për Ty” nënën e tij, Doloresën. Prej 30 vitesh ata janë shpërngulur në SHBA, siç rrëfeu më herët 60-vjeçari në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ku me shumë mundime, ia kanë mundur të kenë një jetë të qetë.

Babai i Agronit, një ish i internuar ka ndërruar jetë thuajse 3 vite më parë por ka mundur ta ndihmojë të birin për të bërë realitet një ëndërr. Nisur nga vështirësitë e prindërve të tij për t’u përshtatur me jetësën në SHBA, Agroni ndërtoi një qendër shqiptare për pensionistët ku ata bëjnë një jetë aktive dhe  sociale. Për këtë arsye, djali ka një falenderim të përzemërt për njeriun që e ka sjellë në jetë.

 

Agron: Mama, do doja që në piedestalin e këtij emisioni të të shpreh mirënjohjen time të thellë që na ke rritur, na ke dhënë aq dashuri dhe në kohë aq të vështira na ke mësuar të jemi njerëz të mirë fillimisht dhe pastaj të jemi të edukuar dhe të arrijmë suksesin me forcat tona, me ndershmëri dhe për këtë të jam shumë mirënjohës. Përveç kësaj do doja që të shtoja që pa ndihmën tënde dhe të babait që na shikon atje nga lart, unë kurrë nuk do kisha arritur që ta ngrija qendrën e parë shqiptare në Amerikë për pensionistët, qoftë nga mbështetja morale, qoftë nga mbështetja materiale, pa ndihmën e prindërve të mi unë nuk do kisha mundur ta realizoja ëndrrën time sepse që të materializohej ajo duheshin financat që unë nuk i kisha të gjitha. Babai ka shitur shtëpinë në Tiranë dhe mamaja, më kanë ndihmuar me të gjitha gjërat që kishin që unë ta bëja realitet.

Ardit Gjebrea: Keni shitur shtëpinë në Tiranë për këtë gjë!

Agron: Unë do doja që nëpërmjet mamasë, mamanë ta  kisha edhe si një përfaqësuese se nuk mund të sjell dot 200 e ca pensionistë që shijojnë, argëtohen në qendrën tonë çdo ditë, por mamaja që vjen atje përditë, le të jetë ajo përfaaqësuesja e të gjithë atyre zonjave e zotërinjve të qendrës që më falin aq shumë dashuri. Sa herë shkoj atje më thonë qëna zbukurove jetën, na ndryshove jetën dhe nuk e dinë që dashuria nuk është një rrugë me vetëm një drejtim, dashuria është që kush jep edhe e merr mbrapsht dhe unë e kam marrë 10-fish prej atyre. Faleminderit mama për gjithçka ke bërë!

Share With:
Translate »
144 Views