Priste prej 5 vitesh të bëhej nënë, këngëtarja rrëfen momentin kur mësoi se ishte shtatzënë
Prej 9 muajsh, këngëtarja Rovena Ibrahimi ka njohur emocionin më të madh të një gruaje, ndjesinë e të qenurit nënë. Nataniel, djali i saj i parë, i ka dhuruar një tjetër këndvështrim për botën dhe jetën. Duke na treguar në “Rudina” në Tv Klan këtë moment të veçantë, ajo rrëfen se ka qenë një shtatzëni e shumëpritur, por edhe e vështirë.
Rudina Magjistari: Momenti i parë kur mësove që ishe shtatzënë, si e ke përjetuar? Kishe kohë që prisje, që kërkoje apo ishte momenti që vendosët të ndryshonit jetën tuaj dhe ndodhi?
Rovena Ibrahimi: Pas gjithë kësaj bisede që ne bëmë ky është momenti që unë u rrënqetha dhe nuk e di pse më ndodh e njëjta gjë gjithmonë. Mbase është momenti më delikat në jetën e njeriut dhe uroj që kushdo në këtë botë ta ketë. Nuk planifikuam gjë. Kishim 5 vite martuar që prisnim dita-ditës që të ndodhte. Nuk po ndodhte dhe këtu do të bëj një rrëfim shumë të sinqertë, domethënë takonim miq, thoshin “ç’bëni, pse rrini, shkoni diku, rrini jashtë”.
Thashë unë nuk kam për të ikur në asnjë vend, nëse ka qenë shkruar për t’u bërë nënë, do bëhem kur ta ketë shkruar Zoti lart. Në momentin që vërtet ndodhi nuk po e besonim as vetë. Kur i thashë tim shoqi, i nisa testin, tha “kush është shtatzënë?”. Është shumë e sinqertë dhe po e tregoj për herë të parë sepse ti vërtet ta jep këtë impakt. Pastaj sigurisht u siguruam. Gjatë muajve të parë shkuam mirë, pastaj shumë trazira ndodhën por ia dolëm.
Artistja nuk dha detaje të mëtejshme mbi ndërlikimet e shtatzënisë, të cilat janë eklipsuar tërësisht nga lumturia që i ka dhuruar djali. Kjo është edhe arsyeja pse zgjodhën edhe një emër të veçantë për të, Nataniel, që do të thotë “dhuratë e Zotit”.