Pse fëmijët po e humbin aftësinë për të biseduar
Nga Entela Resuli
Fëmijët sot nuk joshen më nga topi dhe kukulla kur vjen puna për të luajtur, por nga telefoni dhe tableta.
Në ato pak pallate me oborr që gjen në Tiranë sheh rrallë fëmijë që luajnë zhurmshëm me njëri-tjetrin. Të vegjlit ulen në një cep dhe kokë më kokë, shohin ekranin e vogël që mund të jetë telefon apo tabletë.
Një pamje tjetër që të shfaqet është ajo në kafene, ku nënat, ulen për të pirë një kafe dhe për të bërë muhabet në qetësi me mikeshat e tyre i lënë në dorë fëmijës… telefonin.
Kaq duhet dhe ai hesht duke u futur në lojërat gjithë ngjyra që ka ky objekt.
Por a është ky një veprim i duhur, a është shkëputur fëmija nga realiteti? A mos janë vetë prindërit ata që po i shtyjnë drejt kësaj bote?!
Fëmijët janë duke humbur aftësinë për të bërë një bisedë, për shkak të përdorimit të teknologjisë, thotë autori i serisë së librave për fëmijë “WimpyKid”.
JeffKinney, i cili ka shkruar serinë e librave për fëmijë Diaryof a WimpyKid, është i shqetësuar pasi fëmijët nuk arrijnë të “socializohen”.
Autori amerikan ka shitur më shumë se 150 milionë kopje të printuara të serisë së WimpyKid, dhe librat e tij janë përshtatur për filma.
Kinney thotë se koha para ekranit është një problem i madh për shkrimtarët që duan të shesin librat në botën reale.
Ai e përshkroi marrëdhënien e fëmijëve me teknologjinë si një “eksperiment i madh i kohërave tona”.
“Nuk e di vërtetë nëse dikush e ka përgjigjen e duhur, por ajo çka është e pamohueshme është se mënyra se si fëmijët tanë komunikojnë me njëri-tjetrin ka ndryshuar rrënjësisht dhe ndoshta përgjithmonë”, është shprehur ai për AssociationPress.
“Ajo çfarë duam nga fëmijët tanë është që të socializohen plotësisht dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kjo është një humbje e madhe”.
“Nëse jam në makinë me fëmijët e mi, tani çdo njeri është në telefon… dhe është e çuditshme të drejtosh makinën kur çdokush është në telefon”.
“Mendoj se kjo po humb dhe mendoj se të gjithë ne jemi fajtorë si prindër. Këtë e mendoj gjithmonë”.
Kinney, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë në botë, shtoi se “koha gjatë së cilës fëmijët janë duke kaluar para ekranit të smartphone është problemi me të cilin po përballet çdo prind në ditët e sotme”.
“Gjatë kohës që kam shkruar libra për fëmijë, marrëdhënia e fëmijëve me pajisjet elektronike ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, – tha ai. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të shkruash për fëmijërinë pa përmendur telefonat dhe mesazhet e shpejta”.
Të vegjlit përballë teknologjisë
Një studim francez ka vëzhguar dhe analizuar sjelljen e fëmijëve në grupmosha të ndryshme të cilët përdorin tabletë dhe pajisje të tjera teknologjike. Përfundimi? Nuk këshillohet përdorimi i tyre vetëm dhe për një kohë të gjatë.
Gjatë festave të ndryshme në shtëpitë tona vijnë shumë dhurata teknologjike. Nëse njëherë e një kohë, teknologjitë u rezervoheshin vetëm të rriturve, sot gjithnjë e më shumë prindër dhe miq u dhurojnë fëmijëve tanë, edhe shumë të vegjël, pajisje të vogla teknologjike si tabletë apo robotë ndërveprues.
Por a ka kuptim t’i dhurosh një tabletë një fëmije 3 vjeç? Siç thuhet në një studim tjetër, përdorimi i pajisjeve teknologjike nga fëmijët në moshë parashkollore, mund të jetë një mundësi ose problem, në varësi se si përdoren.
Le ta nisim nga një fakt objektiv: fëmijët, edhe ata shumë të vegjël në moshë, nuk kanë asnjë problem të përdorin aplikacione smartphone apo tabletë. Një studim amerikan i kohëve të fundit me fëmijë nga 0–8 vjeç thotë se që 9–12 muajsh, fëmijët janë në gjendje të mësojnë dhe përdorin aplikacione pa probleme.
Në praktikë, lehtësia e përdorimit të pajisjeve “touch” ka hequr barrierën gjuhësore që prej kohësh ka qenë pengesa kryesore për të mësuar teknologjinë. Sot, që të përdorësh teknologjitë touch nuk është e nevojshme të dish të lexosh ose të shkruash, mjafton të kontrollosh gishtat. Jo vetëm: shumë prindër kanë zbuluar se fëmijëve të tyre u pëlqen përdorimi i aplikacioneve, në disa raste shumë; guxoni t’ia hiqni tablet-in apo celularin një fëmije dhe do të përballeni me të qara për një kohë të gjatë dhe diskutime.
Shoqata Italiane e Pediatrisë Parandaluese dhe Sociale duke marrë në studim këtë fenomen ka arritur në përfundimin që celularët nuk duhet t’u jepen fëmijëve nën 10 vjeç, sepse përdorimi “po transformohet gjithnjë e më shumë në një abuzim” dhe efektet e reja të valëve elektromagnetike për shëndetin “po bëhen gjithnjë e më të dukshme”. Efektet që lë përdorimi i tyre është, humbje përqendrimi, vështirësi në kuptueshmëri dhe agresivitet.