Ra në pusin e thellë 180 metra, përpjekjet për shpëtimin e 2-vjeçarit
Një operacion i madh shpëtimi është ndërmarrë për të shpëtuar një 2-vjeçar që ka rënë në një pus të thellë të ngushtë në Indi.
Sujith Wilson qëndron në pus prej 3 ditësh. Fillimisht ai kishte rënë vetëm 10 metra thellësi por tani raportohet se ka rënë akoma më poshtë në pusin 180 metra të thellë.
Ekipet e shpëtimit po i pompojnë oksigjen djalit, por nuk dinë ende gjendjen e tij.
Ata po përdorin makineri të rënda për të gërmuar një vrimë të dytë paralel me pusin ku ka rënë fëmija.
Sujith ra në pusin e braktisur ndërsa po luante me shokët të premten. Nëna e tij, e cila ndodhet në vendngjarje, raportohet se i ka kërkuar të mos qajë.
Gjithashtu ka qepur një çantë me shpresën se do përdoret për të nxjerrë 2-vjeçarin në sipërfaqe.
Banorët po mbajnë lutje në tempuj, xhami dhe kisha në të gjithë shtetin për daljen e sigurt të djalit nga pusi.
