Ra në tenxheren me qumësht dhe u dogj në 70% të trupit, Rama merr përsipër kurimin e vogëlushes

Vogëlushja 2-vjeçare Altea Jubi, e cila prej disa ditësh po lufton me jetën, pasi është djegur në 70% të trupit, do të dërgohet për trajtim të specializuar në Turqi.

Vogëlushja nga Peqini, u dogj në pjesën më të madhe të trupit pasi ra në një tenxhere me qumësht të valuar.

Kryeministri Edi Rama, pasi u njoh me rastin e vogëlushes që ka prekur opinionin publik, ka kërkuar informacion të plotë për gjendjen shëndetësore të saj, pas të cilit është kujdesur për t’i siguruar një kurim më të specializuar të menjëhershëm.

Deputetja e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastarliu, e cila vizitoi sot 2-vjeçaren, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, konfirmoi se tashmë është siguruar transportimi i saj në një klinikë të njohur për trajtime të tilla në Turqi.

Sipas Manastarliut, gjendja e vogëlushes paraqitet e rëndë, ndaj u mundësua edhe ndërhyrja sa më e shpejtë për t’i shpëtuar jetën.

“Me porosi të Kryeministrit, i cili ndodhet jashtë vendit, unë jam këtu për të siguruar dërgimin për kurim të specializuar në një klinikë, e cila merret me trajtime të tilla në Turqi, për vajzën 2-vjeçare. Në fakt, ashtu siç referojnë edhe mjekët, gjendja është kritike. Nuk mund të jepen garanci. Por ajo çfarë ne sigurojmë është që do t’i jepet shërbimi më cilësor i mundshëm, pa humbur aspak kohë,” u shpreh Manastarliu. ​

Share With:
Translate »
1029 Views