Rama, takim me mësuesit në fundvit: Në 2018-ën, do të ketë rritje pagash
Kryeministri Rama ka mbledhur pasditen e sotme mësuesit më të mirë nga të gjitha shkollat në vend. Në një pritje së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, Rama tha se ndihet krenar për zbatimin e reformës në arsim.
Kryeminsitri dha edhe lajmin e mirë për të gjithë mësuesit. Ai tha se gjatë vitit të ardhëm do të ketë rritje të pages, por kjo do të varet nga performanca. “Jemi këtu me përfaqësuesit me më të mirët, e shkollave më të mira në vend. Se kush është më i miri, nuk e vendos protokolli, por performanca. Ky është një aspekt i rëndësishëm, që kemi bërë në 4 vitet e para”,- tha Rama. “Me rëndësi është profesionalizmi i mësuesve, dhe jo më pak shkolla e drejtorëve. Emërimi i tyre është bërë politikë deri më tani, kësaj tradite ne kemi filluar t’i japim fund, por jemi ende larg nga aty ku duhet. Kemi në plan për rritjen e mëtejshme për pagat e mësuesve, ju jeni të vetëdijshëm për atë që kemi bërë. Do të jemi shumë kërkues dhe sistemet e testimit dhe rekrutimit, sistemet e zhvillimit në tërësi të mësuesisë do të jenë shumë rigorozë, por ndaj gjithë atyre si ju edhe të tjerëve që mund të bëhën si ju, që dalin gjithnjë me sukses në filtrat e testimeve, do të kujdesemi që paralelisht të rrisim të ardhurat tuaja” – tha Rama.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri tha se po largohet para kohe për t’i lënë të dëfrejnë pa pasur merak se mund të bien në sy për gjera që atij, me gjasë, i ka dalë nami se nuk i pëlqejnë.