Raporti tronditës i UNICEF: Bota po “dështon” foshnjat
Vdekshmëria mes foshnjave vazhdon të mbetet alarmante, sidomos në vendet më të varfra të botës, zbulon një raport i ri i UNICEF. Bebet e lindura në Japoni, Islandë dhe Singapor kanë më shumë shanse për mbijetesë, ndërsa të porsalindurit në Pakistan, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Afganistan kanë shanset më të pakta.
“Ndërkohë që keni më shumë se përgjysmuar numrin e vdekjeve tek fëmijët nën moshën 5 vjeç gjatë viteve të fundit, nuk kemi bërë të njëjtin progres në dhënien fund të vdekjeve tek foshnjat që nuk kanë mbushur akoma 1 muaj”, deklaron drejtoresha ekzekutive e UNICEF, Henrietta H. Fore.
Në të gjithë botën, në vendet me ardhura të ulëta, mesatarja e vdekshmërisë foshnjore është 27 vdekje për 1000 lindje, thuhet në raport. Ndërsa në vendet me të ardhura të larta, raporti është 3 për 1000 lindje. Të porsalindurit në vendet më të rrezikshme për të lindur janë 50 herë më të rrezikuar të vdesin krahasuar me të lindurit në vendet e sigurta.
Raporti thekson gjithashtu se 8 nga 10 vendet më të rrezikshme për të lindur janë në Afrikën sub-Sahariane, ku gratë shtatzëna marrin më pak përkujdesje për shkak të varfërisë dhe problemeve institucionale.
Sipas këtij raporti, nëse çdo shtet do të ulte vdekshmërinë foshnjore në mesataren e vendeve me atë ardhura të larta deri në 2030, mund të shpëtoheshin 16 milionë jetë.
Këto janë 10 shtetet me vdekshmërinë më të lartë foshnjore
- Pakistani: 1 në 22
2. Republika e Afrikës Qendrore: 1 në 24
3. Afganistan: 1 në 25
4. Somalia: 1 në 26
5. Lesotho: 1 në 26
6. Guinea-Bissau: 1 në 26
7. Sudani i Jugut: 1 në 26
8. Côte d’Ivoire: 1 në 27
9. Mali: 1 në 28
10. Chad: 1 në 28
Vendet me vdekshmërinë më të ulët foshnjore
- Japonia: 1 në 1,111
2. Islanda: 1 në 1,000
3. Singapori: 1 në 909
4. Finlanda: 1 në 833
5. Estonia: 1 në 769
5. Sllovenia: 1 në 769
7. Qipro: 1 në 714
8. Bjellorusi: 1 në 667
8. Luksemburg: 1 në 667
8. Norvegji: 1 në 667
8. Republika e Koresë: 1 in 667
Në raportin e UNICEF Shqipëria listohet e 35-ta tek vendet me të ardhura të mesme, ku vdekshmëria foshnjore është afërsisht 6 në 1000 lindje.
Më shumë se 80% vdekjeve të porsalindurve vijnë si pasojë e lindjes së parakohshme, komplikacioneve gjatë lindjes apo infeksioneve si pneumonia apo sepsis, thuhet në raport.
Këtë muaj UNICEF do të lançojë fushatën globale Every Child ALIVE.
“Çdo vit, 2.6 milionë të porsalindur në të gjithë botën nuk mbijetojnë që në muajin e parë të lindjes. 1 milion prej tyre vdesin që ditën që lindin”, thotë znj. Fore.
“Mund të shpëtojmë pjesën më të madhe të këtyre foshnjave me ofrimin e një kujdesi shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm për çdo nënë dhe të porsalindur. Vetëm disa hapa të vegjël nga të gjithë ne ndihmon për të siguruar hapat e parë të vegjël të secilit prej këtyre foshnjave”.