Rasti i parë i një foshnjeje me Covid-19 të shtruar në spital: Flet Manastirliu

Për herë të parë në vendin tonë, një foshnje e infektuar me Covid-19, ka nevojë për ndihmë spitalore. Rastin, e konfirmoi edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e ftuar në Opinion.

Foshnja e infektuar ndodhet e shtruar në spitalin Infektiv, ku po merr trajtim bashkë me të ëmën, e cila është gjithashtu e shtruar.

“Kemi një rast të një fëmije 2 muajsh që është shtruar në spitalin pediatrik në shërbimin e infektivit bashkë me të ëmën e vet. I ka dhënë pasojë Covidi, është rasti i parë që ne kemi një fëmijë të shtruar në spitalin infektiv që kërkon trajtim mjekësor së bashku me nënën e tij.”- u shpreh Manastirliu.

Gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se nga 368 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, janë konfirmuar 82 raste pozitive.

Për fat të keq, tre njerëz kanë ndërruar jetë: një 63-vjeçare nga Tirana, një 65-vjeçar nga Tirana dhe një 60-vjeçar nga Elbasani. Të tre kishin sëmundje bashkëshoqëruese që ndërlikuan gjendjen shëndetësore. /Anabel.al

Share With:
Translate »
661 Views