Reflektoi pas tërmetit. Spartaku i premton publikisht familjes se nuk do pijë më alkool
Tërmeti i 26 nëntorit i bëri pjesën më të madhe të njerëzve të reflektojnë për rëndësinë e jetës e për dhuratën më të madhe që ka gjithësecili: familjen. I tillë ka qenë dhe momenti i “kthesës” që bëri Spartaku duke kuptuar se nuk është e rëndësishme vetëm të jemi gjallë por mbi të gjitha duhet të ndihemi të tillë për veten dhe ata që na rrethojnë. Me një ndienjë të thellë pendese ai ka ftuar bashkëshorten dhe djalin tek rubrika “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan për t’u kërkuar falje e për të premtuar se nuk do konsumonte më alkool. Në fillimet e martesës, marrdhënia mes tij dhe Selvies ka qenë e shkëlqyer. Ata janë dhe prindër të dy djemve, njëri prej të cilëve, Seldi ka kontribuar që 14 vjeç në mirëqenien e familjes duke punuar e sjellë të ardhura në shtëpi. Ndarja nga jeta e vëllait të Spartakut në një moshë të re, e tronditi aq shumë shpirtërisht sa që nga viti 2003 e deri më sot, familja e tij nuk pati një moment lumturie. Spartaku ka treguar se që atëherë, ka gjetur ngushëllim vetëm tek pija, duke harruar sesa keq e përjetonte gruaja dhe dy fëmijët. Djali ka filluar t’i largohet sepse Spartaku i ka premtuar dy herë që do e linte alkoolin por nuk e ka mbajtur fjalën. I përfshirë si ushtarak në operacionet e kërkim – shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, ai ka parë shumë familje të cilat vuanin humbjen e jetëve njerëzore apo shkatërrimin e pasurisë. Ka qenë ky momenti që ai ka vendosur t’i japë fund njëherë e përgjithmonë vesit të tij duke kuptuar sa e çmuar ishte familja dhe sa e rëndësishme ishte t’i bënte ata të lumtur përsëri. E pavarësisht kësaj, asnjë prej tyre nuk i kanë kthyer kurrizin por gjithmonë e kanë mbështetur që t’a kapërcente këtë problem e të gjente forcë tek ata e jo tek pija. E surprizuar nga ftesa e bashkëshortit të cilën nuk e priste, Selvia nuk e ka fshehur lumturinë teksa dëgjonte premtimin e Spartakut që nuk do të konsumonte më alkool. Mbase ky është ai momenti që kanë pritur prej vitesh të gjithë. E thënë kjo publikisht, merr një vlerë dhe garanci akoma më të madhe.