“Respekto vajzat” Evi Reçi i shkruan letrën e veçantë të birit për 8 mars
Djalit im, për 8 mars.
Po po, djalit im.
Të shoh teksa fle, e ora shënon 4 e mëngjesit.
Sot unë po “festoj” një 8 mars ndryshe, si mami.
Por zemra e mamit ti, sot po të shkruaj dy rreshta si grua që ti kesh me vete.
Djali im. Do vijë një ditë që në shkolle do kesh shumë shoqe, e një dite një nga këto do bëhet shoqja jote e jetës. Do shohësh që këto goca të vogla dhe të bukura do kenë diçka që çdo muaj do i “mundojë” e ti ndoshta nuk do e dallosh. Por do duhet t’i mirëkuptosh.
Do vijë një ditë që kolegia jote do “fshehi” një ditë jo të mirë me burrin e saj. Ti duhet të mësosh të dallosh shenjat dhe mos ta gjykosh apo ta sulmosh sepse ndoshta mund të ketë pozicion me të lartë se ty në punë.
Ajo ka studiuar, prindërit e saj e kanë mbajtur si princeshë dhe ka investuar tek vetja. Nuk është armikja jote. E më vonë, djali im, do vijë shoqja e jetës tënde: aaa, sa herë mund të të thyhet zemra por shiko! Mos thyej asnjëherë ti një zemër me qellim. Zemra e një vajze është e brishtë por vetëm në pamje. Zemra e një vajze e bashkuar me mendjen e saj krijojnë plotfuqinë që kjo botë sot po rrotullohet. Mos u tremb nga ajo!
Vetëmbrohet sepse sulmohet, shpesh nuk vlerësohet dhe gjykohet.
Ti jepi dorën. Por mos e ngri kurrë mbi të! Ajo nesër do jetë një nënë, që për të lindur një femijë do kalojë shumë, më beso. E pas lindjes do ketë nevojë për një kohë të gjatë për një fjalë të mire që ndonjëherë do harrojnë t’ja thonë por do fillojnë ti thonë “për qumështin e gjirit të saj, për kilet e tepërta, për prindërimin, për rikonceptimin e jetës së saj etj”.
Ndërkohë nata e saj e pagjumët sapo ka mbaruar për të nisur një ditë plot aktivitet, për të rimarrë terrenin e saj
Djali im. Asnjë dhuratë në këtë botë nuk do të nevojtet më shumë në jetë që do të bëj une sesa dhurata e të mësuarit respektin ndaj gruas.
Ja shiko babin tënd. Por shiko dhe gjyshërit e tu. Shiko si janë ende bashkë dhe plot respekt dhe gaz me njëri-tjetrin. Por edhe gjyshja jote të cilën do ta njohesh nga fjalët tona do bëhet shumë krenare nëse sheh që nipi i saj është një djalë me respekt me gratë, siç ishte dhe burri i saj për të, gjyshi tjetër i joti.
Ngrije zërin e saj të degjohet sa me shumë!
Këndo, kërce e gëzohu me shoqen tënde! Mos u bëj hije për të! Ndriçoje se dritë do të kthehet nga ajo!
Djali im, Aster. Kur të shohësh erresirën tek sytë e një gruaje bëhu ti ai që do ja ndriçojë rrugën, si një yll. Ashtu siç ke emrin.
Mami Evita
8 mars 2025
Tiranë