Rita Petro kujton dhjetorin e 90′: Nga tetë muajshe shtatzënë tek një mama protestuese me beben në karrocë

Poetja Rita Petro kthehet pas në kohë dhe kujton Lëvizjen Studentore, ku mori pjesë si një 28-vjeçare shtatzënë dhe më pas si një mama me beben në karrocë në protesta, “me dëshirën e çmendur që fëmija im të ndiente erën e ndryshimit”.

Më tej nga rrëfimi në vetën e parë, Petro ka një pyetje që e lidh me aktualitetin: “Po përse, përse për dreq të gjitha revolucionet me aroma djerse e gjaku janë të destinuara të mbarojnë në karrige pushteti me aromë parfumi luksoz?! E tani nuk arrijmë të kuptojmë se është më e madhe dhimbja e zhgënjimit apo malli për atë kohë rinie ideale e të zjarrtë?!”.

Postimi i plotë:

30 VJET MË PARË KUR ISHA 28 VJEÇ…

Jo të gjithë e kishim fatin të ishim atë kohë studentë të dhjetorit, por më kujtohet fare mirë vetja ime në muajin e tetë të shtatzanisë që më shtynte te rruga e Elbasanit, pranë Qytetit Studenti … isha dëshmitare e një kohe të re që po lindte jashtë e brenda secilit prej nesh. Isha përsëri në ditët e muajt në vazhdim një mama protestuese me beben në karrocë, pa pyetur për rreziqet e atyre rrugëve, me dëshirën e çmendur që fëmija im të ndiente erën e ndryshimit, erën e lirisë. Isha më pas një mama që me fëmijën mbi supe brohorisja fitoren e demokracisë në atë shesh ku bëheshe Një me atë mizëri turme që kish nisur të shndërrohej në popull, teksa shfaqeshin liderët e parë.

Take me to the magic

of the moment

On a glory night

Ëhere the children of tomorroë dream aëay

In the ëind of change…

(Scorpions)

Çfarë vitesh të zjarrta, plot muzikë e vargje revolucionare, idealizma të tepruar, dëshira të ethshme, ëndrra naive, sinqeritete kalamajsh, dashurira e joshje pa kufij!

Çfarë kohe…me protesta e festa varfanjakësh madhështorë!

Po përse, përse për dreq të gjitha revolucionet me aroma djerse e gjaku janë të destinuara të mbarojnë në karrige pushteti me aromë parfumi luksoz?! E tani nuk arrijmë të kuptojmë se është më e madhe dhimbja e zhgënjimit apo malli për atë kohë rinie ideale e të zjarrtë?!

Kur shembet

Miti i besueshmërisë,

toka dridhet më shumë se nga tërmetet,

Por bien vetëm tavanet.

Ani!

Mund të shohësh përsëri qiej…

Rita Petro rrëfen kohën kur ishte 28 vjeçe: Nga tetë

Share With:
Translate »
474 Views