Roli i babait në fomimin e fëmijës
Bie tabuja shqiptare, tashmë edhe babai mund të marrë “lejen e lindjes” vetëm kur fëmija është bërë 63 ditësh, kohë që përkon me afatin e përfundimit të detyruar mjekësor për nënën. Çdo grua apo burrë që është i përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore përfiton të ardhura për barrëlindje.
“Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e kujdesit ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna”, thuhet në projektligj.
Në shoqërinë tonë deri në ditët e sotme ishte turp të shikohej një baba duke mbajtur në krahë fëmijën, duke luajtur me të, duke e ushqyer, veshur apo duke shtyrë karrocën. Sot miratojmë ligje që i japin babait të drejtën për të ushtruar “profesionin” e të qenit baba.
Harmonia e familjes është cënuar aty ku roli i gruas (nënës) nënçmohet apo ai i mashkullit (babait) mbivlerësohet. Familja shërben si shkolla e parë për çdo qenie njerëzore sapo ai vjen në jetë. Nëse nëna e babai luajnë rolin e tyre si prindër në mënyrën e duhur, fëmija rritet i shëndetshëm mendërisht e fizikisht.
Kur nëna është aty, fëmija merr ngrohtësi; kur babai është aty, fëmija merr siguri, ai ndiehet dyfish i mbrojtur. Nëse babai nuk është aty për të rritur një fëmijë e për ta edukuar atë së bashku me nënën, fëmija nuk e ndjen dëshirën që të jetë pjesë e një bashkësie, ai e kufizon veten vetëm në marrëdhënie me nënën e tij. Kështu ai vetizolohet dhe përjashton veten nga të qenurit pjesë e një bashkësie, së pari asaj me prindërit e tij.
Kur babai nuk është aty, fëmija krijon mosbesim, pasiguri, atij i mungon informacioni dhe i duhet të sigurohet se çdo gjë shkon mirë.
Kur babai është aty, fëmija zhvillon karakter të fortë. Familja i siguron një fëmije të drejtën për të jetuar, për t’u ushqyer, për t’u veshur, për t’u shkolluar, për t’u argëtuar etj., por kjo si pasojë e bashkëpunimit midis prindërve rrjedh natyrshëm. Këto nevoja një fëmije mund t’ia plotësojë edhe thjesht një nga prindërit, por siguria që i transmeton figura e babait si “hero” që mund t’i bëjë të gjitha këto, i jep fëmijës kënaqësinë e sigurisë.
Familja si shkollë e parë të jep mundësinë e formimit të karakterit si njeri, e sigurisht që do të ndjekësh shembullin e “mësuesit” tënd të parë. Babai është mësuesi i parë i birit të tij, djali në të ardhmen në mënyrë instiktive do të ndjekë shembullin e babait.
Babai është mësuesi i parë për vajzën e tij, ajo do të zgjedhë e pranojë në jetën e saj një mashkull që vepron e punon si babai i saj.
Nëse babai është autoritar e ngre zërin, fëmijët e tij do të pranojnë në të ardhmen një martesë me tirani, skllavërim, nënshtrim etj.
Nëse babai është i përkujdesur e i dhembshur, i transmeton fëmijëve respektin ndaj vetes e të tjerëve.
Të jesh një baba i mirë do të thotë të kalosh më shumë kohë produktive me fëmijën tënd. Statistikat tregojnë se ata fëmijë, babai i të cilëve është i pranishëm në jetën e tyre, janë fëmijë me më tepër vetvlerësim, me aftësi sociale më të zhvilluara se ata bashkëmoshatarë që nuk e kanë babanë pranë, ata kanë arritje mësimore më të larta dhe në të ardhmen do të kenë martesa më të forta e më të qëndrueshme.
Baba, ti duhet të jesh i pranishëm!
Ji aty kur fëmija vjen në jetë e përballet me mijëra të panjohura; ji aty kur fëmija yt hedh hapat e parë e thotë fjalët e para; ji aty kur fëmija yt hedh hapat e parë drejt dijes; ji aty kur fëmija yt ëndërron, ëndërro me të; ji aty kur fëmija ka kohë të lirë, luaj dhe ti me të, bëhu sërish “fëmijë”; ji aty kur fëmija yt bie e vritet, ngrije e ofroji supin tënd të mbështetet; ji aty kur ai kërkon dicka, ndihmoje!
Ji i pranishëm kudo e kurdoherë në jetën e vajzës tënde e do të jesh krenar kur në mes të spektatorëve, në shfaqjen e parë të saj, do të thërrasësh me të madhe:
-Ajo është vajza ime!
Ji i pranishëm kudo e kurdoherë në jetën e djalit tënd e pastaj do të jesh krenar kur nga shkallët e stadiumit, duke e ndjekur atë tek luan në fushë e shënon gola, do të brohorasësh:
-Forca, biri im!
E në fund, në moshë të thyer, së bashku me bashkëshorten, do të shijoni familjet e shëndetshme të fëmijëve tuaj, frytin e punës suaj!