Rrëfimi i Eni Vasilit: 5 muaj me vogëlushet e mia, Sofia dhe Nikol

Në shtëpinë e gazetares së njohur, Eni Vasili këto festa kanë trokitur ndryshe, edhe pse prej 5 muajsh kjo shtëpi gëzon çdo ditë e çdo moment harenë dhe gëzimin e dy vogëlusheve të tyre, Sofi dhe Nikol. Është një fundvit ndryshe, me emocione të forta e gëzim marramendës, një dhjetor që ka shpërndarë magji e një dritë gëzimi, aq sa për Enin dhe të shoqin e saj Armandin, Sofi dhe Nikol janë dhuratat më të çmuara që ky vit sfidues i dhuroi gazetares.

“Në shtëpinë tonë tashmë është festë çdo ditë. Çdo ditë që shohim një ndryshim tek vajzat, një zakon të ri apo nje sjellje te re për ne është një festë. Unë dhe Armandi e kemi marrë dhuratën tonë për këtë vit. Nuk do donim asgjë më shumë se kaq.”

– Si e prite shtatzaninë përtej “Open”?
Si surpriza më e bukur, por me vetëdije të plotë për lumturinë dhe preokupimin që sjell me vete ngjizja dhe krijimi. Mbaj mend që bëra testin, por isha aq vonë për në punë sa e lashë mbi lavaman dhe ika. Kur u ktheva e kisha harruar dhe kur pashë vijat e kuqe më doli zemra nga vendi. Ia dërgova doktor Kostës në foto e ai më tha : “ Urgjent në klinikë nesër në mëngjes ta verifikojmë. Vetëm pas verifikimit e ndava me Armandin dhe familjen këtë lajm.”

– A u emocioneve kur u njohe me gjininë e tyre? Je e lumtur që
ke dy vajza e jo një djalë dhe një vajzë?
Jam e lumtur që Sofia e Nikol janë dy engjëj që gëzojnë shendet të plotë dhe rriten çdo ditë duke na zbukuruar jetën të gjithëve. Janë si një diell ku ngrohemi të gjithë nga pak. Nuk do kisha ndryshuar asgjë nga skenari që universi kish përgatitur për mua. Nikol ëshhtë një bebe solare që qesh me të gjithë dhe duket se do të fitojë zemrën e gjithkujt, ndërsa Sofia duket sikur e pretendon këtë vemendje pa patur nevojë ta fitojë. Është shumë dëfryese të mundohesh të kuptosh trajtat e karakterit të tyre mes gugatjesh, ndërrimit të pelenave dhe zhurmës së rraketakeve në shtëpi. Tani vëmendja e të dyve është vetëm për to dhe meraku apo malli jane bërë ndjenja që na pushtojnë kur jemi larg. Këto 5 muaj kanë kaluar mes preokupimit dhe lumturisë duke u përqendruar me shumë tek vajzat se sa tek njëri tjetri. Ajo që shoh është që Armandi është një baba i apasionuar dhe unë një nënë në merak të vazhdueshem. A pinë sa duhet, a fjetën sa duhet, si reagojnë, sa gugasin e të tjera si këto.


– Tani më, shohim ndonjë postim tëndin në Instagram dhe ato janë torta e ditëlindjeve gjatë këtyre 5 muajve të Sofi dhe Nikol.
Mos ndoshta re në “grackën” e postimeve në rrjete sociale?
Ndoshta. Për momentin e konsideroj një lumturi që dua ta ndaj me ndjekësit e mi.


– Vetëm pas dy muajsh dhe një rikthim në ekran. Përtej menaxhimit të kohës dhe të një jete të re të pamë në formë fizike shumë të mirë. Si arrite ti rrëzoje kilogramët e tepërt apo nëpërmjet veshjes arrite të zvogëloje siluetën?
Të dyja bashkë. Kam arritur të heq shumë kilogramë vetëm për shkak të lodhjes dhe impenjimit të muajve të parë. Duke qenë dy bebe angazhimi është shumëfish. Nuk kam bërë asnjë dietë deri tani dhe nuk po ndjek asnjë regjim ushqimor specifik edhe pse do të doja ta bëja, por impenjimet ma pamundësojnë në këtë moment. Kam akoma punë për të berë për të arritur formën time fizike, por nuk kam gjetur ende kohë për t’u marrë më veten. I kam premtuar vetes se ne janar do të filloj palestrën. Të shohim a do ta mbaj këtë premtim…

/Revista Living

Share With:
Translate »
184 Views