Rrëfimi i Hueyda El Saied: Zv/ministri i Brendshëm më ndau nga babai, e pashë pas 16-vjetësh
Artistja e njohur shqiptare Hueyda El Saied ka ndërruar jetë muaj më parë në Luksemburg, ku jetonte prej vitesh.
E njohur për publikun shqiptar që në fillim të viteve ’90, El Saied ka folur disa herë për jetën e saj dhe të familjes.
Në fillim të shkurtit 2017, Hueyda ka treguar për teleshikuesit shqiptarë se si Feçor Shehu, si zëvendësministër i Brendshëm që ishte e ndau atë dhe mamanë e saj nga babai, transmeton ‘syri.net’.
‘Që ta sqarojmë popullin shqiptar njëherë e mirë unë jam treçerek nga Sudani, por kam lindur këtu. Stërgjyshi im ishte nga Sudani dhe ka qenë peshkatar, ka ardhur në Durrës dhe ka njohur një grua të re që ishte nga Turqia.
Stërgjyshja erdhi nga Turqia në Shqipëri, pasi i kishte vdekur bashkëshorti dhe për të mos u ndarë nga djali, të cilin donte t’ia merrte familja e burrit, vendos të vijë në Shqipëri. Këtu njeh të riun sudanez, pra stërgjyshin tim, dhe bëjnë 14 fëmijë dhe një që e kishte stërgjyshja, 15 fëmijë.
Dhe midis këtyre fëmijëve është dhe gjyshja ime, e cila që në moshë 15-vjeçare futet në Filarmoninë e Shtetit, gjyshja ke qenë këngëtare, sot është 82 vjeçe. Gjatë kohës që këndonte, e shikon një djalë shkodran që është gjyshi im dhe bie në dashuri.
Gjyshi është nga Çokët e Shkodrës dhe unë prandaj ia kam vënë dhe emrin e dytë djalit Hysen, si dhe emrin e gjyshit të burrit. Pra, djali ka tre emra, Gabriel, Hysen dhe Frederik dhe mbiemri Tamizie.
Gjyshi u martua me gjyshen dhe bëjnë dy vajza, mamin tim dhe tezja dhe historia përsëritet në vitet’ 70 me mamin tim e cila njihet me një student që vinte nga Sudani nga Partia Komuniste. Babai vinte për të studiuar në fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë.
Meqenëse gjyshërit e mi jetonin në Qytet Studenti dhe aty dashurohet me mamin dhe martohet dhe linda unë.
Babai im, pasi mbaroi studimet, nis punën dhe kur unë isha tre vjeç vendosin në largohen dhe të shkojmë në Tripoli për të punuar, pasi kishte shumë puse nafte por për të ikur, na duhej të nxirrnin pasaportën dhe duhej shumë kohë dhe procedura të gjata.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme shikon pasaportën e mamit dhe time dhe 10 ditë para se të niseshim, një pasdite kur mami po kthehej nga puna, i ndalon para këmbëve një makinë dhe i thotë ju jeni Dianushka Elsajed, dhe i thotë të hënën në orën 12:00 duhet të vini në zyrën time.
Mami vjen në shtëpi dhe i tregon babait të hënën shkojnë bashkë në zyrë dhe ai i nxjerr si pretekst që unë dhe mami ishim shtetase shqiptare, ndërsa babai duhet të kthehej dhe pas 6 muajsh që të verifikonin që babai kishte një situatë stabël…, në fillim babai refuzoi, por më pas largohet dhe na lë vetëm me 26 lekë të vjetra.
Aty fillon tragjedia, babai vjen pas 6 muajve dhe nuk e lënë të zbresë nga avioni. Zëvendësministri, Feçor Shehu, e ftonte mamin shpesh në zyrë dhe e ngacmonte deri sa arriti në atë pikë, ku i tha, sa të jem unë zëvendësministër, ti dhe vajza jote nuk do dilni nga Shqipëria.
Unë e kam parë babain pas 16-vjetësh, që në moshë 3-vjeçare që e pashë për herë të fundit. Babai ka pritur një muaj në Sofje me idenë se ne do shkonim, pasi kështu na gënjente zëvendësministri, por ne nuk shkuam kurrë.
Unë kam qenë në vitin e katërt kur ka ardhur babai im në shkollë e shikoj kur vjen dhe nuk dija si t’i flisja. Ai kthehet dhe me thotë Hueyda, jam babai, ka qenë një nga takimet më emocionuese, pasi unë i njihja vetëm zërin atij’, rrëfente në vitin 2017 Hueyda për Ermal Mamaqin.