Rrëfimi i nënës pas 20 shpëtimeve të vajzës nga epilepsia

Një nënë e përkushtuar, e cila e ka ‘kthyer nga të vdekurit’ vajzën e saj, të prekur nga epilepsia, më shumë se njëzet herë ka thënë që ndihet sikur zemra po i shqyhet sa herë që vajza e saj trevjeçare pëson sulmet e tmerrshme të epilepsisë. Samantha Slocombe, 25-vjeçare dhe bashkëshorti i saj, Michael, 32-vjeçar, e kanë ringjallur vajzën e tyre Paige dhjetëra herë, pasi sulmet e epilepsisë e kanë lënë të paaftë për të marrë frymë. Vogëlushja vuan nga sindroma ‘Dravet’, një formë e rrallë e epilepsisë tek fëmijët, e cila ia ka rrezikuar shpeshherë jetën. Ajo pëson sulme të vazhdueshme gjatë ditës dhe kësisoj prindërit e saj duhet të jenë gjithmonë vigjilentë. Zonja Slocombe, që është kujdestare e të bijës së saj, ka thënë: “Jemi tronditur dhe shkatërruar kur kemi marrë diagnozën e Paige-s. Kam pasur frikë për të ardhmen e saj andaj edhe ka qenë shumë e vështirë që ta shikoj sindromën ‘Dravet’ teksa na e merr vogëlushen, dalëngadalë”.

Slocombe ka pasur një shtatzëni të shëndoshë
Slocombe ka thënë që ka pasur një shtatzëni të shëndoshë dhe lindje normale dhe vetëm në dhjetor të vitit 2013, kur Paige i kishte mbushur shtatë muaj, vogëlushja kishte përjetuar sulmin e parë epileptik, teksa ishte duke u pastruar. “Nuk e kam pasur idenë se çka po ndodhte. Nuk kisha parë asnjëherë më herët ndonjë sulm të tillë. Mendoja që po vdisje”, ka thënë ajo. Ajo ishte dërguar menjëherë në spital ku doktorët fillimisht kishin menduar që ajo ishte prekur nga konvulsioni febril, çrregullim i shpeshtë, që nuk është aq serioz. Megjithatë, në të njëjtën natë, ajo kishte pësuar edhe një sulm tjetër, që ia kishte pamundësuar frymëmarrjen. Meqë ajo ishte shumë e vogël dhe doktorët nuk kishin arritur t’ia gjenin venat për futjen e ilaçeve, ata kishin mbetur të detyruar që t’i hapnin vrima për t’ia futur ilaçet në palcën kurrizore.“Ndihem sikur më është shqyer zemra”
“Ka qenë e tmerrshme. Kam bërë panik dhe u pata sëmurë edhe në aspektin fizik”, ka thënë nëna e saj. “Nuk e mendoja që ajo do të vinte në shtëpi për Krishtlindje. Gjithmonë e paramendoja momentin kur do të më duhej t’i telefonoja të gjithë dhe t’iu tregoj që ajo ka vdekur. Ndihem sikur më është shqyer zemra”. Mrekullisht, Paige ngadalë kishte filluar të këndellej dhe pas pesë ditësh ishte lejuar të shkonte në shtëpi. Për tetë javësh, jeta kishte filluar t’i kthehej normalitetit dhe ajo dukej një vajzë e shëndoshë, përsëri. Pastaj, herët në mëngjesin e shkurtit të vitit 2014, zonja Slocombe ishte zgjuar rastësisht dhe e kishte gjetur Paige-n duke “bërë zëra të çuditshëm”. “Zërat nuk kanë qenë aq të lartë, andaj nuk jam e sigurt pse jam zgjuar. Ndoshta ka qenë instinkti i nënës. Pata shkuar për ta shikuar dhe e pata gjetur vajzën time të shtrirë, me buzë të nxira dhe me fytyrë të hirtë”, ka shtuar ajo.

Share With:
Translate »
853 Views