“Rrezikonim të dy”, shtatzënia që u kthye në luftë për mbijetesë: Mjekët s’na dhanë shanse

Vetëm 19 vjeçe dhe me dëshirën që dashuria të ishte mbrojtja e streha e saj e sigurt, Nexhi vendosi t’i besonte djalit  që ajo njohu kur sapo erdhi me studime në Tiranë.

Sapo kishte humbur babain, në Elbasan ndodhej nëna e vëllai ndërsa Tirana premtonte ëndrra, shkollim dhe dashurinë. Nexhi tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” se sapo u njoh me këtë djalë që ishte 10 vjet më i madh se ajo, vendosën të bashkëjetonin.

Nuk u desh gjatë që fjalët e ashpra të ktheheshin në dhunë fizike e  psikologjike. Situata u përkeqësua kur siç tregon Nexhi më tej gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, u zhvendosën në një shtëpi me qira dhe ai i kërkonte vazhdimisht para pasi nuk punonte por nuk lejonte as atë ta bënte.

Më vonë, erdhi martesa prej së cilës kanë edhe një fëmijë. “Shtatzënia ishte momenti më i keq”, kujton Nexhi teksa tregon se analizat rezultuan me anemi të theksuar dhe vjehrra e fajësonte se foshnja do të  lindte e sëmurë. Në muajt e parë të shtatzënisë, vazhdonte edhe dhuna fizike por situata e shëndetit të saj përshkallëzoi.

Nexhi: Deri në momentin 6-muajsh kur doktoresha vë re një ndryshim në trupin tim. Aty fillova të fryhesha shumë dhe kur iki bëj kontrollin, doktoresha më thotë që “ti vuan nga hipertensioni në shtatzëni”. Në atë moment më shtrojnë direkt në maternitetin e vjetër, rri një javë.

Ardit Gjebrea: Sa e kishe tensionin?

Nexhi: Tensioni shkonte 18 me 13, 14. Kisha raste që kisha kapur edhe 19.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që ishe shtatzënë?

Nexhi: Isha 6-muajshe.

Ardit Gjebrea: Të shtruan në maternitet.

Nexhi: Po, në maternitetin e  vjetër.

Ardit Gjebrea: Më fal, kishe rrezik për  jetën?

Nexhi: Po, shumë sa pas ilaçeve të shumta që unë konsumova nën kujdesin e mjekëve të mrekullueshëm që ne kemi, unë arrita që tensionin të ma stabilizonin, por tensioni më vinte nga gjendja e ankthit që më krijohej edhe në maternitet, nga presionet, nga dhuna psikologjike, nga çdo gjë nga ish-bashkëshorti.  Një fjalë që unë në ato momente kisha nevojë për shumë ngrohtësi, atë fjalën time  e merrnin për tjetërsoj dhe fillonin më dhunonin psikologjikisht sepse në ato momente unë isha në spital dhe nuk kishte ç’më bënte.

Vetëm pak ditë pas daljes nga spitali, Nexhi mori goditjen më të rëndë gjatë një kontrolli kur mësoi se jeta e saj dhe e djalit ishte në rrezik.

Nexhi: Kur iki për kontroll, prapë doktoresha më thotë “ti do të operohesh urgjent nesër”. Sa kisha hyrë në javën e parë të muajit të shtatë, isha 26 javëshe. “Po ta them që tani që vetëm shpresat te Zoti se të dy rrezikoni jetën”, edhe unë, edhe djali sepse çuni kishte ndaluar zhvillimin, nuk ushqehej më me gjak nga unë nga të gjithë sikletet dhe vuajtjet që unë kalova. Nuk furnizohej me gjak, rrahjet e zemrës po dobësoheshin. Më lidh direkt me maternitetin e vjetër, aty nuk më merrte përsipër asnjë doktor të rrezikonte sepse tensioni më vazhdonte 17 me 13, 14, ishte shumë e rrezikshme që unë të futesha në  sallë. Derisa në fund, drejtori i pavijonit të shtrimeve që ka qenë në atë kohë më mori përsipër bashkë me dr. Elvanën. Ata më operuan duke… më thanë që në fillim që do të hyja në sallë, duke firmosur që “Nexh, nuk të japim përqindje që ti do të jetosh bashkë me djalin”. Në atë moment, pa hyrë në sallë vjen mami im, më kap nga duart, unë në atë  moment nuk mendoja asgjë, vetëm qaja dhe më thotë kaq, dy fjalë që unë do i mbaj mend, nuk do i harroj kurrë, “a je e fortë?”, po i kam thënë. “A e do djalin?”, po. “Ti do të dalësh me sukses, mos mendo asgjë tjetër, vetëm mendo që ti e do atë djalë shumë”.

Share With:
Translate »
15 Views