Rriten pagesat buxhetore për bonusin e bebeve, por lindjet ranë me 22%
Bebet e lindura në vitin 2023 shënuan rënie rreth 10 për qind në krahasim me vitin 2022, por pagesat për bonusin e bebeve erdhën në rritje.
Gjatë vitit të kaluar u paguan nga buxheti i shtetit 3,3 miliardë lekë rreth 31 milionë euro si bonus për foshnjat e lindura në Shqipëri. Kjo ndodhi pavarësisht faktit se vitin e kaluar kanë lindur2478 bebe më pak se në vitin 2022 dhe gjithashtu qeveria miratoi një nismë ligjore që kufizon pagesat për lindjet jashtë vendit.
Bonusi i bebeve në më shumë se 40 për qind të vlerës së tij ka shkuar për foshnjat e lindura jashtë vendit, pavarësisht se qeveria synoi që më këtë mjet financiar të përmirësonte lindjet brenda vendit. Që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023 qeveria paguar në formën e bonusit të bebeve mbi 141 milionë euro, por nga ana tjetër numri i lindjeve në të njëjtën periudhe ka rënë me 22%.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave miratoi një kusht, në të cilin bonusi përfitohet nga prindërit e bebeve që kishin 180 ditë në Shqipëri në vitin paraardhës. Këto të dhëna do të merren nga sistemi TIMS.
Gjithashtu qeveria vendosi që bonusi të përfitohet nga të huajt që janë vendosur në Shqipëri si azilkërkues apo refugjatë të cilët vendosin që shtetësia e fëmijës së tyre të jetë shqiptare.
Vendimi që lidhej me bonusin e bebeve u ndryshua duke synuar që përfitimet të jenë për shtetasit që jetojnë brenda vendit, pasi ndër vite edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë kishin përfituar nga kjo hapësirë ligjore. Për qeverinë kjo përbënte përfitim të dyfishtë pasi ata përfitojnë nga skemat në vendet ku janë vendosur.
Totali i bebeve përfituese sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë është për 161,943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022 sipas të dhënave të INSTAT është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.
Në vitin 2019 qeveria nisi të aplikojë bonusin e bebeve që ka një përfitim financiar prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin dhe foshnjat e tjera në vijim si një politikë për rritjen e lindshmërisë, por deri më sot skema nuk ka rezultuar efektive.