Rruga e zemrës kalon nga duart e Altin Veshtit, kardiokirurgu rrëfen misionin humanitar në Afrikë: “Pas 5 orësh në sallë i shpëtova jetën 9-vjeçares”
Ai është nga ata njerëz që në qarqet profesionale njihet shumë mirë. Në një kohë kur shumica e mjekëve tanë kanë tendencën të largohen jashtë shtetit, ai vijon të kryejë me qindra ndërhyrje të suksesshme në vend duke shpëtuar jetë fëmijësh, duke sjellë në sistemin shëndetësor shqiptar përvojat profesionale në vendet e huaja ku ka studiuar dhe punuar. Mjeku kardiokirurg, Altin Veshti ka realizuar një mision humanitar në Afrikë. Ai ka kryer plot 16 operacione zemre për fëmijët atje, duke kaluar shumë vështirësi.

I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Veshti ka rrëfyer të gjithë këtë eksperiencë sa sfiduese, aq edhe emocionuese. Ai ka theksuar se operacioni më i vështirë ka qene i një vajze 9-vjeçe pasi ka zgjatur 5 orë.
“Janë realizuar 18 operacione, 16 i kam kryer vetëm unë, raste goxha të vështira për 5 ditë, diku 4 ditë e gjysmë. Një punë nga ora 6 e mëngjesit deri në 12 e natës. Kam bërë 4 operacione në ditë, njëri pas tjetrit pa u ndalur. Atje shkon gjithë dita në një sallë operacioni. Duhet të kesh një përgatitje të mirë fizike, duhet të jesh i përqendruar 100%, por pas shumë vitesh eksperiencë bëhet gjithçka rutinë. Pra, kjo e imja është një lloj pune që bëhet totalisht rutinë.
Operova një vajzë 9-vjeçe, qëndrova 5 orë në sallë me të. Ajo duhet të ishte operuar kur ishte 6 muajshe dhe ishte 9-vjeçe, me një zemër totalisht të shkatërruar. Ajo ka qenë rasti më i vështirë dhe një bebe e vogël 4 muajshe. E operoi një kirurg tjetër, kolegu im italian dhe u detyrova unë ta rioperoj unë nesërmen, sepse nuk shkoi mirë. Ky kolegu im pati një problem dhe mbeta vetëm me një gocë të re aty, por kanë shkuar mirë të gjitha rastet. Bëmë diçka të mirë për atë shtet, kam operuar 3 mijë raste si fëmijë të vegjël, por dhe të rritur”, -u shpreh mjeku.