Sa kohë pas lindjes duhet ta filloni jetën seksuale?

Pas sjelljes në jetë të një fëmije shumë femra fillojnë të kenë dyshimet dhe pyetjet e para për marrëdhëniet seksuale në të ardhmen.Sido të keni lindur, qoftë me mënyrë natyrale, qoftë me prerje çezariane, trupit tuaj i duhet kohë derisa të rimarrë veten. Këshillohet të prisni 4-6 javë pas lindjes që t’i riktheheni aktivitetit seksual. Kjo i jep kohë cerviksit (qafës së mitrës) të mbyllet, të pushojë gjakderdhja e lehonisë dhe që ndonjë çarje apo qepje e mundshme të mund të shërohet. Disa femra ndihen gati të rifillojnë marrëdhëniet seksuale disa javë pasi kanë lindur, ndërsa të tjerave mund t’u duhen muaj apo dhe më shumë për t’u ardhur kjo dëshirë. Faktorë të ndryshëm si; gjendje këputjeje, stresi, dhe frika e një dhimbjeje të mundshme mund të ulë dëshirën për seks. Ndryshimet hormonale mund të lënë vaginën tuaj të thatë dhe të tendosur, sidomos nëse jeni duke e ushqyer me gji fëmijën. Mund të ndjeni disa dhimbje gjatë marrëdhënieve nëse jeni duke u shëruar nga një lot perineal, pra nga ndonjë çarje në vaginë, sidomos nëse çarjet kanë qenë të mëdha. Për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjeve ju këshillojmë ta merrni me ngadalë. Fillojeni me një përkëdhelje, puthje apo me një masazh. Gradualisht rritni intensitetin e stimulimit. Nëse keni probleme me thatësirën e vaginës mund të përdorni një lubrifikant krem ose xhel. Pas lindjes së bebit, rënia e tonifikimit të muskujve të vaginës mund të ulë kënaqësinë gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale; por kjo është zakonisht e përkohshme. Për të tonifikuar muskujt e vaginës provoni ushtrimet Kegel. Shtrëngoni muskujt e vaginës sikur të jeni duke ndaluar urinën të dalë. Ushtrohuni kështu duke i mbajtur muskujt të kontraktuar/shtrënguar për 10 sekonda dhe pastaj lëshojini për 10 sek të tjera. Sapo t’ia keni marrë dorën praktikoni të paktën 3 sete në ditë me nga 10 ushtrime Kegel dhe do të shihni përmirësime të dukshme në pak kohë.

Share With:
Translate »
1154 Views