Sarandë/ 15-vjeçarja hidhet nga kati i katërt pas bullizimit nga bashkëmoshatarët
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ku një vajzë 15-vjeçare ka tentuar të vetëhedhet nga kati i katërt i banesës së saj. Sipas raportimeve zyrtare nga policia, e mitura ndodhet aktualisht në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Fatmirësisht, vajza nuk ka pësuar dëmtime të rënda pasi është penguar nga tenda e katit më poshtë, duke shmangur kështu rënien direkte në tokë.
Burimet policore bëjnë me dije se shkak i këtij akti ka qenë bullizimi nga shokët e shkollës. Adoleshentja është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po merr kujdesin mjekësor të nevojshëm.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Bullizmi ndërkohë vazhdon të mbetet një problem serioz në shumë shkolla dhe komunitete, duke ndikuar thellë në shëndetin mendor dhe emocional të shumë të rinjve. Dhuna psikologjike dhe përjashtimi social mund të shkaktojnë stres të madh, depresion, ankth dhe në raste ekstreme, sjellje vetëdëmtuese apo tentativa për vetëvrasje, si në rastin më konkret që përmendëm më sipër. Rëndësia e ndërhyrjes së hershme dhe krijimi i një mjedisi mbështetës dhe të sigurt për adoleshentët është thelbësore për parandalimin e pasojave tragjike.
Në luftën kundër bullizmit, është thelbësore që familjet, shkollat dhe komuniteti të bashkëpunojnë për të mbështetur të rinjtë dhe për të parandaluar këto situata të rënda.