Shenjat e para të autizmit shfaqen që në 6 muajt e parë të jetës
Deri më tani është besuar se simptomat e para shfaqen rreth moshës 2-3 vjeçare, por një studim i kryer në Universitetin Yale në Shtetet e Bashkuara, ka vërejtur se fëmijët e prekur nga autizmi shfaqin shenjat e para, që në 6 muajt e parë të jetës.
Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë me sy, e emocioneve si e qeshura apo dhe mungesa e aftësisë për të belbëzuar janë shenja të hershme që të bëjnë të kuptosh, që fëmija nuk ka një zhvillim normal dhe të qëndrueshëm mendor. Testi i ekspertëve amerikanë konsistonte në ruajtjen e reagimeve të bebeve gjashtë muajsh përmes filmimeve dhe krahasimin e tyre pas dy vitesh.
Bebet që nuk reagonin, nuk qeshnin ndaj veprimeve të njerëzve përreth u diagnostikuan me autizëm në vitin e dytë të jetës. Ndaj psikiatrit këshillojnë, që sa më herët të zbulohen çrregullimet e spektrit të autizmit dhe të fillojë trajtimi aq më shumë efekte pozitive do të kenë. Fëmijët që trajtohen në fillim i përgjigjen më mirë terapive dhe i nënshtrohen përmirësimeve thelbësore.