Shënohet viktima e parë nga fruthi, ISHP thirrje prindërve: Mos ua shtyni vaksinën fëmijëve

Një foshnjë 4 muajshe me inicialet A.A nga Manza e Durrësit ka humbur jetën në shërbimin e pediatrisë në QSUT për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga fruthi.

Burime nga QSUT thonë se pas u prek nga virusi i fruthit gjendja shëndetësore u përkeqësua për shkak të një pneumonie masive.

Edhe pse nën terapinë intensive të mjekëve pediatër në reanimacione pediatrisë foshnja e vogël nuk mundi të mbijetonte.

Në një kohë kur vendi është në një situatë fruthi, ky është rasti i parë që humb jetën këtë vit. Por ajo që është më shqetësues është fakti se foshnja e vogël edhe shumë raste të tjera që po paraqiten në shërbimin e pediatrisë të prekur nga fruthi janë infektuar po në urgjencën e pediatrisë.

Foshnja kishte qenë e shtruar dy javë më parë në shërbimin e pediatrisë me bronkolite dhe, sipas mjekëve, ka rënë në kontakt me fruthin.

Duke qenë vetëm 4 muajshe, është e pavaksinuar dhe ka bërë komplikacione të rënda të njohura për virusin vdekjeprurës.

Vetëm javën e parë të janarit u regjistruan 11 fëmijë nën moshën dy vjeç, të pavaksinuar që kishin rënë në kontakt me fruthin, pasi kishin qenë në urgjencën e pediatrisë për shkak të virozave.

Mjekët bëjnë apel që për çdo rast, prindërit të evitojnë sa të munden shërbimin e pediatrisë dhe t’u drejtohen pediatreve nëpër Qendra Shëndetësore.

Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje prindërve të mos shtyjnë në kohë vaksinën MMR tek fëmijët si në dozën e parë që bëhet 1 vjeç, ashtu edhe për dozën e dytë që bëhen në moshën 5-vjeçare. Por edhe pse kemi situatë fruthi, edhe pse ka humbur jetën prej dy ditësh një foshnjë për shkak të komplikacioneve, të fruthit Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë deklaratë zyrtare për këtë fakt dhe për më tepër pengohen institucionet përkatëse të kontaktojnë me mediat, e cila nuk bën gjë tjetër përveçse shpërndan informacion tek qytetarët.

Share With:
Translate »
618 Views