Shkrimtari Khaleid Hossein flet për CNN: Afganistani i fëmijërisë time ishte i mrekullueshëm. Po ta takoja presidentin Biden do i bëja këtë pyetje
Romanet e Khaled Hossein i tregojnë botës një Afganistan që shkon përtej botës së terrorit dhe luftës.
Best-selleri i tij i parë “Gjuetari i Balonave” u publikua në vitin 2003, dy vite pas sulmeve të 11 shtatorit dhe pushtimit të Afganistanit që e ndoqi atë. Miliona njerëz u mahnitën nga historia e Amirit dhe Hasanit, dy djem të rinj nga shtresa të ndryshme shoqërore, jeta e të cilëve mori trajektore të ndryshme pas pushtimit sovjetik.
Romani i tij i mëpasshëm “Njëmijë Djej Vezullues” dhe “Ekoja e Maleve”, të cilat më së paku pjesërisht zhvilloheshin në Afganistan patën suksese të ngjashme.
Vëmendja e botës u rikthye sërish në Afganistan pas pushtimit të talebanëve. Për Hosseinin, ndjekja e asaj që po ndodhte ishte një eksperiencë e dhimbshme.
Ndonëse Hosseini e la vendin e tij të lindjes në vitin 1976, lidhjet me atdheun dhe popullin e tij shkojnë thellë. Autori, i cili emigroi bashkë me prindërit në SHBA në vitin 1980 dhe ende jeton në Kaliforninë e Veriut, e ka përshkruar javën e kaluar si “ditët më të errëta të Afganistanit në dekada”.
“Nuk kam asnjë ide se çfarë ka rezervuar e ardhmja për Afganistanin”- ka thënë ai përgjatë një interviste telefonike me CNN. Ai shqetësohet se miqtë dhe familjarët e tij që janë ende atje dhe njerëzit që ai ka takuar gjatë udhëtimeve të tij së bashku me aktivistët dhe vullnetarët do të kenë një fat të hidhur.
Intervista e CNN me Hossein:
Si u ndjetë kur patë shtëpinë tuaj të fëmijërisë, Kabulin të bjerë në duar të talebanëve?
Ishte një situatë e dhimbshme. U zgjova një ditë, hapa telefonin dhe pashë që Kabuli kishte rënë. Kam qenë në Afganistan shumë herë që prej 11 shtatorit dhe pushtimit amerikan dhe kjo që ndodhi tani të thyen zemrën.
Kam një lidhje shumë të fortë emocionale me vendin tim, qytetin, popullin. Në fakt, nuk kam jetuar në Afganistan që prej vitit 1976, por ato vitet formative i kalova atje. Më thyhet zemra kur shoh flamurin taleban të fluturojë mbi qytet.
Si i mban mend vitet e tua të para atje?
Është sureale sesa shumë ndryshe ishte. Kishte lokale “hippie” dhe gratë pinin cigare në publik, vishnin fustane të shkurtra, ngisnin makina, apo punonin në administratë si avokate, doktore dhe në role të tjera. Ishte një shoqëri shumë e ndryshme. Kabuli ishte një qytet në rritje dhe me standartet e një shoqërie konservatore, ishte shumë liberal.
Ka qenë një nga vendet më të vështira për të jetuar në planet për të qenë fëmijë në 40 vitet e fundit, por unë kam pasur një fëmijëri shumë të mirë atje. Jam shumë mirënjohës që kam jetuar në Afganistan përgjatë asaj periudhe. Kam arritur të shoh vitet e fundit të paqes dhe stabilitetit në vend, përpara pushtimit sovjetik dhe shkaktimit të efektit domino të ngjarjeve që kulminuan me atë që pamë të ndodhte pak ditë më parë.
Çfarë të thonë të afërmit dhe miqtë që janë ende në Afganistan?
Po më thonë atë ju mund të merrni me mend. Se janë shumë të shqetësuar për sigurinë e tyre, për sigurinë e fëmijëve të tyre, për të ardhmen e vendit dhe se çfarë do të thotë mbërritja e talebanëve për të drejtat dhe liritë që kishin fituar me mund përgjatë 20 viteve të fundit.
Ku mendoje se ishte e ardhmja e Afganistanit pasi talebanët u rrëzuan nga pushteti në vitin 2001?
Ndjenjat e mia ishin të ngjashme me ato të miliona afganëve, se talebanët kishin ikur dhe se vendi po hapej për një të ardhme më të mirë, më të qetë, më të begatë dhe më të paqtë.
Isha në Kabul në vitin 2003. Ishte hera e parë që u riktheva në Afganistan pas 27 vitesh. Atmosfera ishte e rëndë. Të gjithë ndiheshin pak të trembur nga lufta civile. Por, nuk kishte shenja mosbesimi. Njerëzit kishin shpresë.
Ky është kontrasti me sot. Për mua, këto janë ditët më të errëta të Afganistanit në 20 vitet e fundit dhe ndoshta ditët më të errëta që në fundin e luftës civile të viteve 1992-1996. Nuk e kam idenë se çfarë e ardhme e pret Afganistanin.
Kur filluan të ndryshojnë ndjenjat e shpresës? A e keni pritur se talebanët mund ta rikthenin Afganistanin ashtu si ishte më parë?
Kur isha në Afganistan fola me njerëzit dhe ishte e çuditshme sesi të gjithë po më theshin të njëjtën gjë: Se nëse ishin amerikanët nuk kishin besim se shteti afgan mund të mbronte vendin. Dhe kjo u vërtetua vite më vonë.
Mendoj se pjesa më e madhe e afganëve nuk kanë besim se pa trupat ndërkombëtarë, ushtria e tyre mund t’i mbrojë nga grupet si talebanët. Nuk mendoja se rënia do të ishte kaq e shpejtë. Por, për 11 ditë vendi ra në duart talebanëve dhe ja ku jemi. Është e habitshme.
Fuqi të tjera të huaja pushtuan Afganistanin vetëm për të dështuar në fund me misionet e tyre. A ishte e pashmangshme që dhe me SHBA-të të ndodhte e njëjta gjë? A do të bënte ndonjë ndryshim prezenca e tejzgjatur amerikane atje?
Fillimisht e mbështeta, po ashtu si miliona afganë, ndërhyrjen amerikane në vend.
Kishte shqetësime në lidhje me mënyrën sesi amerikanët bënin biznes në Afganistan. Kishte incidente gjatë viteve që bënë që të humbte deri diku besimi dhe vullneti i mirë i popullit për amerikanët. Por, në pjesën më të madhe njerëzit e dinin se prezenca amerikane në Afganistan ishte një mbrojtje për vendin ndaj rebelëve. Kjo u vërtetua se ishte ashtu.
Presidenti Biden dha një fjalim atë ditë dhe unë do e pyesja: Cila është trashëgimnia e këtyre 20 viteve? Përse shërbeu e gjithë kjo? Vendi i ka mbetur në dorë njerëzve që në i luftuam. Mijëra civilë u vranë dhe shumë njerëz u zhvendosën, gjithë ato fshatra u bombarduan, gjithë ata njerëz vuajtën me shpresën se vendi mund të kishte një të ardhme më të mirë.
Tani jemi në mëshirën e një grupi që vetë SHBA-të e kanë cilësuar grup terrorist, që kanë qeverisur me terror popullin afgan në vitet ’90 dhe që e kanë bërë Afganistanin qendër të grupeve terroriste. Është diçka që vështirë se mund të përtypet. Nga perspektiva e afganëve është vështirë t’u vemë fajin sepse ndihen të tradhëtuar.
Çfarë përgjegjësie ka bota tani përkundrejt Afganistanit dhe popullit të vet?
Mund të presim zthvendosjen e mijëra njerëzve në ditët, javët dhe muajt që do të vijnë. Që tani ka një krizë humanitare brenda në Afganistan. Që në ditët e para është esenciale që të dërgohet personi i organizatave ndërkombëtare si OKB për të ofruar shërbime jetike.
Dhe mendoj se duhet që t’u bëjmë thirrje të gjithë shteteve të hapin kufijtë për të mirëpritur refugjatët afganë që po i arratisen 40 vite lufte dhe persekutimi. Ky moment nuk është momenti për të hequr dorë nga Afganistani. Nuk është ky momenti për t’i kthyer kurrizin afganëve dhe popullit afgan.
SHBA-të ua kanë borxh këtë gjë afganëve, atyre që mbetën prapa, që u bashkuan me objektivat amerikanë, që besuan tek iniciativat amerikane, që riskuan jetën e tyre për të punuar me trupa të huaj. Nuk mund t’u kthejmë kurrizin këtyre njerëzve.
Çfarë mendimi keni për talebanët që thonë se këtë herë do të qeverisin ndryshe?
Ndjesia ime është ajo e shumë afganëve të tjerë. Jam shumë skeptik. Ne mendojmë se talebanët duhet ta provojnë këtë gjë me vepra dhe jo me fjalë.
Vëmendja e botës është me talebanët tani, kështu që nuk është surprizuese që ata thonë se do të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të grave. Por, ata shtojnë “brenda kufirit të ligjit islamik”, që lë shumë vend për interpretim.
Librat tuaj prezantuan kaq shumë lexues në të gjithë botën me Afganistanin. Deri në çfarë mase “fiction-i” mund të nxisë një kuptim të kulturës së një vendi dhe njerëzve të tij?
Është një dritare në të. Unë kam qenë shumë i bekuar që njerëzit kanë lexuar librat e mi dhe kanë krijuar një lidhje personale me gjendjen e Afganëve dhe me Afganistanin si një tokë, sepse për shumë, shumë vite Afganistani është asociuar kryesisht me talebanët dhe luftën, terrorizmit dhe tregtinë e drogës. Shpresoj që njerëzit të largohen nga librat e mi me një kuptim me më shumë nuanca dhe multidimensional për vendin.
Megjithatë, unë nuk e shoh veten si një përfaqësues për Afganistanin. Unë kujdesem shumë për njerëzit afganë në Afganistan dhe kam një interes të thellë në atë që po ndodh atje, por kam jetuar në mërgim për një kohë shumë, shumë të gjatë. Shpresoj që romanet e mia janë një pikë hyrëse për të mësuar më shumë rreth Afganistanit, por ky nuk duhet të jetë fundi i njohjes.
Cilët autorë të tjerë afganë duhet të lexojmë tani?
Fariba Nawa, e cila është një gazetare dhe një shkrimtare e mrekullueshme, ka shkruar një libër të quajtur “Opium Nation: Children Brides, Drug Lords, and One Woman’s Journey Through Afghanistan”. Libri është një kujtim familjar për tregtinë e opiumit në Afganistan. Ai gjithashtu siguron një perspektivë mbi Afganistanin gjatë 30 viteve të fundit.
Për ata që duan të kuptojnë jo vetëm historinë afgane, por edhe përvojën e afganëve që jetojnë në mërgim, unë do të rekomandoja Tamim Ansary “Perëndimi i Kabulit, në lindje të Nju Jorkut”.
Cilat zëra afganë po anashkalohen në këtë moment?
Një nga shqetësimet e mia të mëdha është se zërat që do të anashkalohen janë ato të grave. Kur talebanët ishin përgjegjës në Afganistan në vitet 1990, talebanët në thelb i ndaluan gratë nga çdo pjesëmarrje kuptimplote në jetën shoqërore afgane. Ishte ndoshta vendi më i keq në planet për të qenë një grua.
Tani për tani, talebanët po thonë gjërat e duhura, por unë u bëj jehonë shumë kolegëve afganë duke thënë se shpresoj që zërat e grave në Afganistan të mos heshtin. Ata janë grupi më i guximshëm, më elastik, më i shkathët i njerëzve në Afganistan dhe kam respekt të jashtëzakonshëm për ta.
Çfarë dëshironi që më shumë njerëz të kuptojnë për Afganistanin?
Ata janë një popull i lodhur nga lufta. Janë të lodhur. Ata janë të rraskapitur. Ata kanë kaluar 40 vjet trazira dhe zhvendosje dhe njëra krizë pas tjetrës.
Unë i kërkoj njerëzve që të mos e braktisin popullin afgan sapo vëmendja të largohet. Ata miliona njerëz do të jenë akoma atje.
SHBA i quajti afganët partnerët tanë për 20 vitet e fundit, dhe më pas ne u larguam. Miliona Afganë tani janë në mëshirën e një grupi që ka 20 vjet që brutalizon dhe terrorizon sistematikisht vendin.
Është plotësisht e mundur që ne të shohim një fluks të madh afganësh që do të tentojnë të shkojnë drejt kufirit, për të ikur nga dhuna. Është absolutisht thelbësore që ata njerëz të pranohen dhe që ata të mbrohen. Prandaj ju lutemi mbështesni ato organizata që mbrojnë të drejtat dhe mirëqenien e refugjatëve.
Përkthyer nga CNN/ Tiranapost.al