Shokon vajza albine: Mësuesja më shtyu nga shkallët
Sot në “Shqipëria Live” ishte e ftuar Elisa Zgena, një vajzë albine e lindur në Maj të vitit 1992. Ajo tregoi se është bullizuar dhe paragjykuar shpesh për pamjen e saj të jashtme.

Elisa rrëfeu një rast tronditës me mësuesen e saj të fillores. Ajo e kishte shtyrë nga shkallët, por fatmirësisht vajza ishte mbajtur.

“Isha në klasë të katërt, rreth 10 vjeçe, do dilnim për pushim dhe isha e fundit nga rreshti. Zysha doli dhe mbylli derën, unë mendova se e mbylli nga nxitimi. Mbylli derën dhe nuk dola në pushim, mendova se harroi. Po rrija tek dritarja, po prisja që të vinin të më merrnin por jo, mbaroi pushimi dhe nuk kisha ngrënë e pirë akoma. Duhet të prisja edhe 3 orë të tjera deri tek pushimi tjetër. Kalova ato tre orët dhe u mundova të dal më shpejt që të mos më harronte më brenda dhe kur dola, ajo më shtyu nga shkallët, por fatmirësisht nuk u rrëzova sepse u mbajta”, tha Elisa.


