Shqiptari në listën e çmimeve “Qytetari Guximtar” pas veprimit heroik
Të premten e 17 nëntorit 2017, u zhvillua në Zvicër aktiviteti tradicional i ndarjes së çmimit për guxim qytetar që e ndan revista “Beobachter”. Çmimi “Beobachter Prix Courage” 2017 i është dhënë 31-vjeçarit nga Dübendorfi i Zyrihut, Remo Schmid, shkruan SDA.ch dhe të gjitha mediet elektronike zvicerane. Ai ka shpëtuar një grua nga përdhunimi, duke vënë në rrezik jetën e vet. Presidentja e jurisë, politikania Pascale Bruderer në laudation e saj ka thënë se guximi qytetar në Zvicër po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Çmimi i ndarë sonte ka edhe vlerën monetare, prej 15 mijë frangash.
Ndërsa çmimin “Lifetime Award” (çmimi jetësor), me 10 mijë franga, e ka fituar prifti humanist, Ernst Sieber. Prifti i njohur tashmë 90 vjeçar gjatë gjithë jetës së tij është angazhuar për njerëzit në nevojë, njerëzit pa kulm mbi kokë, të varurit nga droga etj.
Në rrethin e ngushtë për të fituar çmimin kryesor ka qenë edhe shqiptari nga Shkupi, Senat Iseni. Ai, më 5 tetor, krahas shqiptarit tjetër Fatmir Bardh Haziri, kishte shpëtuar një foshnjë duke e nxjerrë atë nga shinat e binarëve, në momentin e fundit para se të vinte treni. Për Isenin kjo ishte hera e tretë që po shpëtonte jetë njerëzish.