Si dy pika uji, Jona Spahiu flet e prekur për babain e ndjerë: “Sa herë e shoh këtë foto, më jep një ndjesi ndryshe”
Prej disa kohësh ajo është shkëputur nga ekrani për t’iu përkushtuar rritjes së Raidenit dhe biznesit të saj të planifikimit të eventeve, megjithatë Jona Spahiu nuk i ka humbur kurrë kontaktet me ndjekësit. Ajo është vazhdimisht aktive në Instagram dhe YouTube, ku ndan herë pas herë rutinën e saj të përkujdesjes apo këshilla mbi fashion-in dhe udhëtimet.
Por, ndonjëherë në platformat sociale nuk tregojmë vetëm anën e bukur të gjërave që bëjmë. Ka edhe momente ku prevalon njerëzorja, malli, nostalgjia apo dhimbja për gjëra dhe njerëz që kemi humbur. Kuratorja Stela Plaka i ka rikujtuar sot Jonës disa foto të realizuara 8 vite më parë dhe një prej tyre duket se ka shumë vlerë për të, pasi duket kopje e të atit.


Jona e ka ripostuar duke treguar se këtë foto e ka patur për shumë kohë screen lock të telefonit dhe sa herë që e shihte i jepte një ndjesi ndryshe.
Nuk është hera e parë që ish-moderatorja flet për të atin. E ftuar para ca vitesh në studion e Rudina Magjistarit, ajo do të shprehej: “E doja shumë atë ceremoni (duke iu referuar dasmës me Frenklin). E bëra për kujtimin e tim ati, ishte një mënyrë për ta respektuar sepse ai do më shihte edhe nga lart. Babi im vërtet ka vuajtur shumë, sepse ka jetuar 24 vitet e jetës së tij në burgjet komuniste por e ka patur familjen e shenjtë. Ka projektuar tek unë dhe motra ëndrrat e tij të parealizuara. Na ka mësuar me shumë rregulla, ka dashur shumë që të lexojmë, që t’i arrijmë vetë gjërat tona në jetë edhe absolutisht kjo ishte më e pakta që unë mund të bëja.”