Si ndikojnë gjuhët e huaja në zhvillimin e fëmijëve?
Studimi i ri nga Universiteti Concordia tregon se fëmijët që dinë dy gjuhë janë më të kujdesshëm ndaj folësve të gjuhëve joamtare. Ekzistojnë përfitime të qarta nga rritja e një fëmije që di dy gjuhë. Por a mund të ekzistojnë disa gjëra të cilat të mësuarit e gjuhës së dytë nuk i prodhon, si fëmijët më mendjehapur?
Studimi i ri nga Universiteti Concordia tregon se, ashtu si fëmijët që flasin një gjuhë, fëmijët që dinë dy gjuhë preferojnë të ndërveprojnë me ata që e flasin gjuhën e tyre amtare me një theks amtar në vend se me bashkëbiseduesit me një theks të huaj.
Studimi, i publikuar në revistën “Frontiers in Pscychology” dhe i shkruar bashkë me profesorët e psikologjisë Krista Byers-Heinlein dhe Diane Poulin-Dubois, zgjerohet në hulumtimet e mëparshme duke treguar se fëmijët që e flasin një gjuhë preferojnë të ndërveprojnë me ata që e ndajnë theksin e tyre amtar.
Byers-Heinlein dhe Poulin-Dubois fillimisht menduan se fëmijët që dinë dy gjuhë do të dëshmoheshin më mendjehapur se ata që dinë një gjuhë. Rezultatet, megjithatë, tregojnë se edhe ata preferojnë të shkëmbejnë biseda me bashkëbiseduesit “pa theks”.
Si pjesë të studimit, 44 fëmijëve mes moshës pesë dhe gjashtëvjeçare nga rajoni i Montrealit u ishin treguar dy fytyra në një ekran kompjuteri. Audio incizimet u lëshuan për çdo fytyrë; njëri lexonte një frazë me theks amtar të fëmijës, ndërsa tjetri lexonte të njëjtën frazë me një theks të huaj.
Hulumtuesit qëllimisht zgjodhën një theks të huaj që ishte i panjohur për fëmijët dhe dalluan asociacionet në mes të fytyrave dhe zërave.
Fëmijëve pjesëmarrës iu kërkua që të tregojnë fytyrat që do t’i preferonin t’i kenë si miq. Shumica i zgjodhën fytyrat që korrespondonin me theksin e tyre amtar. Atëherë, pse janë fëmijët që dinë dy gjuhë paragjykues ndaj thekseve të huaja? Sipas Byers-Heinlein, kjo mund të jetë e lidhur me preferencën e fëmijëve për familjaritetin.
“Fëmijët priren të preferojnë të ndërveprojnë me njerëz që janë si ata, dhe mund ta perceptojnë një theks të caktuar si shenjë e një të huaji,” thotë ajo.
Ky studim ka implikime për prindërit. Meqë fëmijët kanë mungesë të vetëdijes për ta kujtuar veten se theksi është një masë sipërfaqësore e karakterit, prindërit duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në mësimin e fëmijëve të tyre në lidhje me thekset.
“Ne tregojmë paragjykime herët, kështu që mund të jetë e nevojshme t’i edukojmë të gjithë fëmijët, pavarësisht nga përkatësia e tyre gjuhësore, rreth asaj se çfarë është një theks dhe se si ai nuk reflekton asgjë për njerëzit përveç faktit se ata nuk janë duke e folur gjuhën e tyre amtare,” thotë Byers-Heinlein.