Si të parandaloni xhelozinë e fëmijëve njëri-tjetrit
Çfarë mund të bëjnë prindërit për ta parandaluar xhelozinë e fëmijëve të tyre? Para së gjithash duhet ta shohim xhelozinë në këndvështrimin e zhvillimit: është një përjetim që bën pjesë në përvojën e vëllezërve e motrave.
Duhet t’i vëzhgoni fëmijët tuaj, t’i mirëkuptoni dhe shoqëroni në këtë fazë…
Kuptoni dhe shoqëroni
Xhelozia bën pjesë në marrëdhënien me vëllezërve e motrave: është një ndjenjë normale e pavetëdijshme e sjelljes së tyre. Të gjitha veprimet e tyre duhet t’i shihni jo si teka dhe sjellje të gabuara, por si një nevojë për vëmendje.
Shihni anën pozitive
Marrëdhënia vëllazërore është një palestër jete dhe një mundësi e madhe për zhvillimin psikologjik e social të fëmijëve. Të mësoni të menaxhoni xhelozinë është një kompetencë që në të ardhmen do të jetë shumë e nevojshme për fëmijët. Bëhet fjalë për një ndjenjë që lind spontanisht dhe në mënyrë të pavetëdijshme.
Nuk është e nevojshme ta mbingarkoni me fjalë pa fund e arsyetime të lodhshme, sepse fëmija nuk kupton me arsyetim, por nëpërmjet përvojave që kalon. Për të ndihmuar të vegjlit ta largojnë këtë ndjenjë, duhet të keni një stil edukativ, i cili i lejon disa përvoja që përmbajnë momente të vështira.
Jepini secilit gjithçka që ka nevojë
Çdo fëmijë ka personalitetin e tij: nuk është e vërtetë që prindërit duhet t’u garantojnë të njëjtat gjëra fëmijëve. Nëse blini çokollata, nuk është e thënë që t’i jepni dy njërit fëmijë dhe dy tjetrit: secili dëshiron që të shihet si personi unik e i çmuar që është, në bazë të shijeve të veta personale dhe karakterit që ka. Për shembull, njërit prej fëmijëve mund t’i pëlqejë që të ftojë shokët në shtëpi, ndërsa tjetrit që të qëndrojë ulur në divan duke parë filmat e tij të preferuar.
Me pak fjalë, rregulli qëndron që t’i jepni secilit fëmijë atë çka ai ka nevojë, atë që e bën të ndihet i pranuar dhe në qendër të vëmendjes suaj.
Rregulla të qarta
Nuk shërben që ta qortoni apo ta dënoni. Nuk shërben që ta çoni në një cep dhe ta përbuzni, por ta stërvitni ndaj rregullave. Një strategji e mirë për të qetësuar grindjet që vijnë si pasojë e xhelozisë, është ta çoni në dhomë që të reflektojë për sjelljen e tij, në mënyrë që më pas të vijë e të kërkojë falje.
Prindërit janë gjithmonë një model edukues që i ndihmon fëmijët të verbalizojnë, të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje. Nuk është e shëndetshme që prindërit të mos reagojnë, duke menduar se më pas fëmijët do t’ia dalin vetë mbanë në mënyrë spontane. Të vegjlit duhet të jenë të shoqëruar në brendësi të marrëdhënieve me njëri-tjetrin.
Mos etiketoni
KURRË mos bëni krahasime dhe diferencime. “Ti je i keq, vëllai yt është zemërmirë”, “Ai shkon mirë me mësime, ndërsa ti jo”. Janë shprehje që duhen evituar në çdo rast, pasi rrezikojnë shumë vetëbesimin e fëmijëve dhe mbi të gjitha ndezin tek ata ndjenjën e inatit e rivalitetit.
Mos u trembni
Xhelozia është normale: nuk duhet të shkurajoheni, nuk duhet të jeni të ashpër e autoritarë, sepse kjo sjellje nuk shërben për asgjë. Duhet thjesht të mirëkuptoni, të gjeni burimin e kësaj xhelozie e të veproni me gjakftohtësi e racionalitet. Dhe mbi të gjitha duhet t’u qëndroni shumë pranë fëmijëve tuaj.