Si të zgjidhni lodrat e sigurta për fëmijët tuaj

Keni dëgjuar dhe shpesh jeni bërë pjesë e lodrave të rrezikshme për fëmijët tuaj. Kjo ka ardhur si pasojë e mospasjes së informacionit të duhur ndaj dhe ne po ju paraqesim disa udhëzime se si t’i zgjidhni lodrat për fëmijët tuaj dhe se si t’i mësoni ata t’i përdorin ato.

Si të zgjidhni një lodër të sigurt

Lexoni gjithmonë me kujdes udhëzimet dhe informacionet e shkruara mbi paketimin e lodrës. Verifikoni prezencën e markave të certifikimit, të cilat dëshmojnë për cilësinë e produktit. Veçanërisht në Itali (nga ku ne importojmë lodra të ndryshme) markat apo shenjat e gjetura janë tre, ndërsa lodra që do të blini duhet të ketë të paktën njërën prej tyre që të konsiderohet normale. Shkurtesat janë:

“CE”: kjo është një lloj certifikate e cila tregon që lodra është prodhuar me materiale të sigurta dhe në përputhje me ligjet e parashikuara europiane. Për momentin kjo është e vetmja markë e detyrueshme.

“Lodra të sigurta”: kjo markë ndodhet vetëm tek ato lodra që kanë kaluar një sërë kontrollesh laboratorike për të verifikuar rezistencën dhe sigurinë e tyre.

“Siguri e kontrolluar”: certifikon që produkti mund të përdoret për kujdesin e fëmijëve, për shembull ajo gjendet te biberonët, gotat plastike, pelenat plastike etj.

-Preferoni gjithmonë lodra me një ekuilibër të përshtatshëm midis cilësisë dhe çmimit, produktet e lira mund të jenë të falsifikuara dhe mund të thyhen lehtë.

-Blerjen e lodrave bëjeni vetëm në dyqane të specializuara ose në hipermarkete. Dyqanet e vogla, mbi të gjitha nëse janë të huaj, mund të kenë në raftet e tyre produkte jo të sigurta dhe të pacertifikuar.

-Në paketimin e lodrës shikoni emrin e prodhuesit dhe të importuesit, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për marka të njohura dhe të sigurta.

-Siguroheni që lodra mos të ketë tela ose pjesë lehtësisht të ndashme, nëse i referohen një fëmije të vogël. Te lodrat elektronike, kontrolloni që kabina e baterisë të jetë e mbyllur me një vidë dhe që nuk mund të hapet nga fëmija.

-Shigjetat, harqet dhe lodra e tjera të këtij lloji duhet të kenë mbështjelljen e duhur me gomë për të mbrojtur fëmijën dhe shoqëruesit e tij të lojës.

-Lodrat elektronike duhet të jenë të pajisura me një transformator që redukton rrymën output në një maksimum prej 24 volt.

Si luhet me lodrat?

Paketat e lodrave duhet të hapen nga një i rritur apo nën mbikëqyrjen e tij. Të gjitha pjesët plastike ose metalike të paketimit duhet të hiqen menjëherë nga duart e fëmijës. Lexoni të gjitha udhëzimet para se fëmija të fillojë të luajë dhe sigurohuni që t’i keni vendosur siç duhet të gjitha pjesët e lojës. Rregulloni volumin e lodrave elektronike, në mënyrë të tillë që ai të mos irritojë dhe të bezdisë veshët delikatë të fëmijëve. Nëse pjesët e një loje elektronike ju duken të shkatërruara ose jo të sigurta, kthejeni atë te shitësi dhe kërkojini atij një zgjidhje ose lekët. Nëse dy apo më shumë fëmijë ndajnë bashkë dhomën dhe hapësirat e lojës, është mirë që lodrat t’i ndani në bazë të moshës së referuar. Lodrat e thyera duhet të eliminohen menjëherë, për të evituar lëndimin e fëmijëve.

Si testohen lodrat?

Lodrat, që përmbajnë markën e nënshkruar “Lodër e sigurt”, u nënshtrohen një sërë testesh që e vënë ata në provë për të verifikuar përshtatshmërinë, moshën që duhet ta përdor atë dhe sigurinë në përgjithësi.

Testet të cilat duhet të kapërcehen për të arritur certifikimin e lodrave janë:

-Prova e prishjes së syve, hundës, bishtit dhe këmbëve te  pelushët.

– Kontrolli i të gjitha pjesëve plastike dhe metalike.

-Prova e djegshmërisë.

-Prova toksike e mbulesës dhe e të gjitha pjesëve plastike dhe metalike.

-Analiza e përbërësve të përdorur te ngjyrat.

-Prova elektrike për të kontrolluar nivelin e ngrohjes së lodrave elektronike.

-Prova elektrike specifike për lodrat që përdoren në prezencë të ujit.

-Zbulimi i radioaktivitetit.

-Kontrolli i nivelit të higjienës së produktit.

-Kontrolli i rrezikut të keqpërdorimit të lojës.

 

Share With:
Translate »
922 Views