Si t’iu transmetoni fëmijëve dashurinë për leximin?
Pasioni për tregimet dhe romanët nuk mësohet me fjalë, shembulli është mënyra më e mirë për të filluar dashurinë ndaj librave.
Një imazh apo një figurë e bukur e mbushur me domethënie mund të ishte ajo e një fëmije të zhytur thellë në magjinë e një rrëfimi. Një libër në fakt mund t’ju zhvendosë në dimensione fantastike, ndërsa ju bën të jetoni aventura të paharrueshme.
Ndër të tjera, të lexuarit për fëmijët do të thotë zbulim i diçkaje në lidhje me të, duke nisur që nga shijet e deri te prirjet personale.
Ndaj si mund t’u nxitni fëmijëve dashurinë për librat dhe lumturinë për të lexuar?
Nëpërmjet shembujve, argëtimit, surprizimit me libra të rinj, nëpërmjet shëtitjeve në bibliotekë dhe leximeve me zë të lartë e në net të veçanta …
Libraria, një vend special
Zgjedhja e librave për t’u blerë nuk duhet të kryhet me nxitim, përkundrazi. Bëhet fjalë për një kënaqësi të vërtetë ndijore. Prekja e një vëllimi, shfletimi i faqeve në mënyrë delikate me gishta, nuhatja e fletëve të freskëta … nëse prindërit gjejnë mënyrën për t’u transmetuar fëmijëve këto eksperienca ndjesish, atëherë edhe për të vegjlit dashuria për librat dhe shkuarja nëpër librari do të jetë më e lehtë. Tashmë janë të shumta libraritë që kanë mundur të krijojnë hapësira posaçërisht për fëmijët dhe të rinjtë: tavolina, divane, tapetë dhe shumë libra të nivelit fillestar.
Biblioteka, jo vetëm në ditë shiu
Fëmijët bien në dashuri me bibliotekat më shpejt nga sa thuhet. Aq sa, me një të shkuar bëhen të pandashëm ndaj ambienteve të librave. Të vegjëlve u duhet shpjeguar se në bibliotekë librat nuk blihen, por le të themi merren hua, pra kthehen sërish pas një afati të përcaktuar. Kjo formë e re përgjegjësie do t’i bëjë ata të ndihen të “mëdhenj”, ndërsa do të provokojë një ndjesi të kënaqshme dhe të dobishme pavarësie. Pa harruar këtu se disa biblioteka u ofrojnë mundësinë e regjistrimit edhe fëmijëve. E gjitha kjo do të jetë një burim i madh krenarie për lexuesit e vegjël. Por prindërit duhet të bëjnë kujdes në rastin e zgjedhjes së librave. Fëmijët duhet të sugjerohen patjetër për çka do të lexojnë.
Lexoni së bashku
“Reading” nuk është ekskluzivitet vetëm i librarive ose i sallave të teatrove. Edhe në familje mund të improvizohet një lexim me zë të lartë. Gjyshërit e bënin këtë gjë shpesh, sepse bëhet fjalë për një formë zbavitjeje tejet të arritshme dhe mjaft të shëndetshme, përveçse një lloj lidhjeje familjare.
Gjeneratat e reja dhe të vjetra, të mbledhura përreth një historie, do të ndihen kështu si pjesë e një aventure të përbashkët, larg nga bota virtuale, por shumë afër me madhësinë e ëndrrave.
Çfarë mund t’u lexoni fëmijëve? Që nga përrallat e gjumit të mirë, deri te tregimet që ju hanë pak kohë.
Net emocionuese
E kush është ai/ajo që nuk e ka provuar ndjesinë e të lexuarit në shtrat, me dritat e fikura dhe me një elektrik të vogël poshtë çarçafëve apo batanijes! Ky është një nga kushtet më ngazëllues që mund të përjetojë një fëmijë. Pra, libri bëhet kështu shoqëruesi i një ndjesie ekskluzive, i imagjinatës dhe i stimulimit të fantazisë e kreativitetit. Prindërit në këtë rast, mund të vendosin së bashku me fëmijën, një orar maksimal kur të fiket edhe elektriku. Por ndërkohë që fëmija lexon, ju nuk duhet ta ndërprisni atë!