Silva Bino thirrje për vaksinim: Të gjitha arsyet pse duhet ta merrni dozën e tretë anti-COVID

Në një kohë kur në vendin tonë ka nisur aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-COVID, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino teksa ka bërë thirrje për vaksinim ka shpjeguar arsyet se përse qytetarët duhet të marrin dozën e tretë.

Duke theksuar edhe njëherë se doza e tretë aplikohet 6 muaj pas asaj të dytës, Bino thotë se kjo dozë duhet marrë me patjetër pasi imuniteti në trupin e njeriut fillon dhe ulet, duke shpjeguar se e njëjta gjë ndodh edhe me vaksinat e tetanozit.

Përmes një video-mesazhi të shpërndarë nga Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bino shprehet se doza e tretë na mbron ndaj formave të rënda të sëmundjes që mund të shkaktojë koronavirusi.

“Të gjithë qytetarët që kanë kryer dozën e dytë para 6 muajsh duhet patjetër të marrin dozën e tretë. Ajo është e rëndësishme për faktin se imuniteti ndaj COVID i shkaktuar nga vaksina fillon dhe ulet. Pse ndodh kjo? Kjo nuk është hera e parë që ndodh pasi për një seri sëmundjesh infektive, kalendarët e vaksinimit krijohen duke u mbështetur në eksperiencën dhe përshembull shembull për tetanozin ne vaksinohemi 6-7 herë. Për polomelitin vaksinohemi 5 herë. Për sëmundje të tjera vaksinohemi disa herë, jo sepse imuniteti fillon ulet dhe zbehet dhe ka nevojë për doza përforcuese. Pra, doza e tretë përforcuese na siguron ndaj formave të rënda të sëmundjes dhe ka ndikim të rëndësishëm në mosshfaqjen e infeksionit. Nga ana tjetër doza përforcuese ul kohëzgjatjen e mbajtjes së virusit, nëse një njeri i vaksinuar infektohet, nuk shfaq shenja klinike dhe transmeton më pak virusin. Pra doza e tretë përforcuese ka një seri gjërash që bëjnë që kjo pandemi të kontrollohet dhe ne të kthehemi në jetën tonë normale”, shprehet Bino.

Share With:
Translate »
140 Views