“S’kam asnjë kontakt me familjarët” Robert Necaj, heroi që shpëtoi motër e vëlla nga mbytja, tregon çfarë ndodhi
Robert Neçaj, vrojtuesi i plazhit që shpëtoi motër e vëlla nga mbytja në plazhin e Shëngjinit pak ditë më parë, nuk mori asnjë gjest mirënjohjeje, por ndihet shumë i lumtur me atë që bëri. Në një rrëfim për Euronews Albania, i riu tregoi se pasi i shpëtoi fëmijët, nuk pati asnjë kontakt as me ta dhe as me familjarët e tyre, por shton se kënaqësia më e madhe për të është që mundi të shpëtonte dy jetë.
“Ka edhe nga ata njerëz që e kanë vlerësuar faktin që vrojtuesi u ka shpëtuar familjarin dhe kanë dhënë edhe ndonjë shpërblim të vogël, por kjo ndodh rrallë. Shumica thonë se e kemi për detyre. Nuk kam pasur asnjë kontakt as me fëmijët, as me familjarët e tyre. Nuk dua ta ndjek, kënaqësia ime është që kanë shpëtuar. Shumë kollaj mund të kisha ikur duke e parë që po rrezikoja jetën, kam hyrë me vetë dije që po rrezikohesha, por nuk e mendoja që situata do shkonte kaq rëndë”, tha ai.
Neçaj arriti t’i nxjerrë të gjallë në breg të detit vëlla e motër, por vetë pësoi dëmtime të rënda për shkak të lëndimeve në mushkëri.
Roberti ka lindur në Lekbibaj në Tropoje dhe banon në Lezhë, rritur në një familje të thjeshtë me prindër arsimtarë. Mbaroi Universitetin e Sporteve të Tiranës si student ekselent. Ai është mësues i edukimit fizik dhe zv.president i Federatës Vrojtuesit e Plazhit.