Studentët e pavaksinuar mund të humbin vitin

Pasaporta e vaksinimit është i vetmi dokument që iu hap udhë studentëve drejt auditoreve. Për këtë arsye nga 11 deri në 17 Tetor do të organizohet java e vaksinimit intensive të studentëve. Në një intervistë për Televizionin Klan zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, sqaroi se vaksinimi do jetë në auditore sipas një  grafiku të mirëpërcaktuar.

“Të gjitha njësitë vedore kanë bërë gati pikat për të vendosur në bazë të një grafiku të detajuar, por edhe që është në bazë të fluksit të studentëve që do të jenë nga data 11 deri në datën 18 Tetor për studentët që do të kërkojnë të vaksinohen. Mjafton me kartën e identitetit, me kartën e studentit të paraqitemi në pikat që do të jenë brenda në auditore”.

Viti akademik do të nisë në 18 Tetor e nëse studentët nuk disponojnë pasaportën e vaksinimit humbasin të drejtën e vitit akademik.

“Je i ndaluar në auditore aty ku kolegët, shokët janë vaksinuar, ku pedagogët janë vaksinuar. Në datën 18 Tetor të gjithë studentët që duhet të hyjnë në auditore duhet të jenë me certifikatën e vaksinimit”.

Krahas pikave të vaksinimit në universitete, studentët mund të vaksinohen në çdo pikë ku ofrohet ky shërbim. Ashtu si për të gjithë popullatën dhe për studentët do të përdoren tre vaksina, AstraZeneca, Pfizer dhe Coronavac.

Share With:
Translate »
154 Views