Surpriza e bukur e prindërve për fëmijët, zbulojnë gjininë e bebit në studion e “Ka një mesazh për ty”

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ka ardhur një çift shumë i bukur, me një histori dashurie të veçantë.  Historinë e nisi Renata, e cila u shpreh se çdo gjë filloi në formën e një shakaje, pasi asnjëri prej tyre nuk kishte ndërmend të lidhej ose fejohej.

Ajo tha në studion e “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, se shkak për takimin e tyre u bë burri i tezes së saj. Gjatë takimit, Renata rrinte e fshehur në një kolonë të lokalit, pasi e kishte ndarë mendjen për jo.

Kur më të rriturit i kaluan në një tavolinë më vete për të biseduar, atyre po ju pëlqente shoqëria e njëri-tjetrit, aq sa orët kishin kaluar pa e kuptuar. Sot, Renata dhe Indriti, janë martuar dhe kanë 3 fëmijë, 2 vajza e 1 djalë.


Renata: Është një histori e lezetshme. Filloi në formën e një shakaje, si nga ana e Indritit dhe nga ana ime. Sapo mbarova gjimnazin dhe kisha drejtim për shkollë. Dhe Indriti, duke qenë se ishte në moshë i ri, ishte 25 vjeç, edhe ky nuk dëshironte të njëjtën gjë.

Ardit Gjebrea: Nuk donte të lidhej?

Renata: Ose të fejohej.

Indriti: Të lidhja këmbët.

Renata: Kjo histori nis me një burrin e tezes time, i cili i thotë babait të Indritit: “Gjej një nuse për djalin”. Dhe pasi i thotë, vjen dhe tek prindërit e mi dhe i thotë babait tim: “Më kanë thënë për vajzën tënde”. “Jo”, i thotë im atë, “goca ime do shkojë në shkollë”. Isha unë dhe babai, më thotë: “Që këtij mos t’i mbetet hatri, atëherë të shkojmë njëherë, sa mos të ketë prishje qejfi me njëri-tjetrin”.

Indriti: Ndërsa unë e kam marrë vesh realisht, ditën që do shkoja. As më kishte thënë gjë babai fare. I them: “Ore nuk do shkojmë gjëkundi, s’kam mend për atë punë”. “Ore i ngel hatri”, thotë, “se i kam thënë po burrit të huaj”. “Mirë”, thashë, “shkojmë”.

Renata: U takuam në një lokal. I fshihesha pas një kolone të lokalit për të mos e parë fare sepse e kisha ndarë mendjen për jo. Dhe vjen një moment që më të rritur na thonë: “Ne kemi ardhur për ju. Atëherë dilni takohuni diku tjetër që të jeni më të lirshëm me njëri-tjetrin”. Dalim në një tavolinë, në një cep të lokalit dhe fillojmë muhabetin. Pa e kuptuar, koha fluturonte, i dilnim muhabetit rreth e qark, nga ajo ideja që e kishim për jo, mbase, por edhe muhabeti ishte i lezetshëm. Pa e kuptuar fare, shkoi dy orë e gjysmë, po kapte tre orë muhabet, saqë dhe këta thoshin: “Ore ç’po flasin këta, po ndajnë Shqipërinë?” Duke qenë që na tërhoqi muhabeti nuk thamë as po, as jo, për momentin. Vazhdojmë dy-tre takime dhe bëmë fejesën. Shumë shpejt na erdhi dhe martesa. 

Renata dhe Indriti kanë vendosur që lajmin e bukur, ta zbulojnë përpara 3 fëmijëve të tyre në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Kur fëmijët erdhën në studio, Indriti u jep atyre një porosi me vlerë: ta duan foshnjën që do të vijë në jetë po njësoj siç duan njëri-tjetrin. Ai gjithashtu u shpreh se nuk ka për të bërë asnjëherë diferencime mes tyre, e do të përkujdeset për të gjithë në mënyrë të barabartë.

Indriti: Reindi, sot ju kemi thirrur këtu, për t’ju dhënë lajmin çfarë presim: djalë apo vajzë. Çfarëdo që të jetë, është po njëlloj me ju. Ju e dini që babi nuk ka bërë asnjëherë diferencime mes jush, ju kam njëlloj të treve dhe asnjë dallim s’kam bërë mes jush. Kërkesat besoj që jua kam plotësuar, të njëjta po njëlloj të gjithëve. Edhe këtë që presim, shpresojmë ta doni siç doni njëri-tjetrin. Ky ishte i gjithë mesazhi.

Ata mblidhen të gjithë si një familje afër tullumbaceve, në pritje të së vërtetës. Moderatori i programit, Ardit Gjebrea, i dorëzoi Renatës dhe Indritit nga një flakadanë. Nëse flakadanët nxjerrin tym me ngjyrë rozë, atëherë do të jetë vajzë, nëse nxjerrë tym me ngjyrë blu, do të jetë djalë.

Kur ndizet fitili, në ajër shpërthen ngjyra rozë dhe Gjebrea dëgjohet teksa thotë me gjithë gëzim: “Vajzë!

 

Share With:
Translate »
77 Views