Tani një nënë mund ta shohë live lindjen e bebit të saj
Tani nënat do të kenë mundësinë të shikojnë lindjen e bebave live nëpërmjet një monitori pranë tryezës së operacionit.
Një spital në Michigan, Spectrum Health Butterworth, u ofron nënave që lindin mundësinë e përjetimit të një eksperience dhe emocioneve të reja. Amanda Koop e shikoi në këtë mënyrë për herë të parë djalin e saj, Charlie, kur e lindi më 24 nëntor 2021.

36 vjeçarja e cila u bë nënë për herë të parë, bëri lindje cezariane të paplanifikuar dhe e ka rrëfyer eksperiencën e veçantë për “Good Morning America”:
“Ata e kthyen kamerën drejt meje pikërisht kur Charlie po dilte jashtë. Kështu, në mënyrë të ngjashmë me një lindje vaginale, e pashë atë të vinte në jetë, gjë që ishte e mrekullueshme”.
Ajo tha se pasi u vendos se do të bënte lindje cezariane, një infermiere e pyeti nëse donte të shikonte lindjen, gjë që nëse do lindte në mënyrë natyrale ajo nuk do të kishte qenë në gjendje ta dëshmonte.
“Doja sepse mund të ishte një mundësi që vjen një herë në jetë, dhe nuk doja të humbisja ato momente, frymëmarrjen e tij të parë” tha Koop, e cili shtoi se kamera gjithashtu e bëri lindjen “më pak të ankthshme. Ok, ai ishte jashtë dhe dukej i mrekullueshëm, kjo ishte jashtëzakonisht qetësuese. Ndodhin shumë gjëra në ato salla operacioni. Janë të zhurmshme dhe unë mund të fokusohesha vetëm tek ai, gjë që ishte shumë bukur.”

Sistemi i kamerës dhe monitorit është i njëjti që përdorin mjekët në procedura të tjera kirurgjikale, të tilla si operacionet laparoskopike, sipas Dr. Cheryl Wolfe, shefe e departamentit të shëndetit të grave në Spectrum Health. Wolfe tha se Spectrum Health Butterworth, në të cilin lindin rreth 7,500 foshnja në vit, është i vetmi spital që ajo njeh në vend që ka aplikuar teknologjinë e kamerave kirurgjikale në seksionet cezariane.
“Ne po përdorim këtë teknologji që ka qenë këtu, por po e përdorim në një mënyrë tjetër, dhe kjo nuk është diçka që bëhet diku tjetër. Shpresoj se do të ketë më shumë spitale dhe njësi të lindjes që vendosin ta aplikojnë këtë. Unë mendoj se pacientët do ta adhurojnë diçka të tillë.”