Të bluash në mulli me ujë, në Mat familja ruan traditën prej tre brezash
Ky mulli me ujë është ndërtuar mbi 100 vite më parë, por edhe sot i ka rezistuar zhvillimit të teknologjisë.
10 fshatra dërgojnë prodhimet e tyre në Zerqan të Bulqizës, duke i qëndruar besnik ushqimit bio e të bërë vetë.
Familja Hidri e mirëmban prej më shumë se tre brezash, madje edhe duke sakrifikuar të ardhura.
Ismet Hidri: Trashëgimi 100 vjeçare, e ka pasur gjyshi. Ne e kemi mbajtur, ka punuar babai 50 vjet. Nuk bluan shumë 4-5 kuintal, me punu edhe natën.Nuk nxjerr atë fitim që merrja në punë në ndërtim.
Ismet Hidri thotë se dëshiron ta trashëgojë këtë traditë edhe tek fëmijët e tij.
Ismet Hidri: Qejf kam ta marrin dhe fëmijët, por varet prej tyre. Sa të jem unë do ta mbaj.
Për banorët mulliri me ujë jo vetëm që ka kosto të ulët, por edhe nxjerr miell të pastër.
Halil Karaj: Është traditë e vjetër brez pas brezi dhe pa shpenzime. Vetëm, me ujë. Gjë origjinale.
Ndonëse para disa dekadash mulliri me ujë ishte e vetmja mënyrë për të bluar drithërat, sot numri i tyre po vjen duke u reduktuar ndjeshëm, duke shkuar drejt asaj që këto objekte të kthehen në vepra të rralla.