Të tejngopur nga mishi, bakllavaja e sallata ruse; Këto supa ju lehtësojnë stomakun dhe ndihmojnë tretjen

Edhe pse kemi hyrë zyrtarisht në muajin e parë të vitit, e festat i lamë pas, nuk mund të mos ndjejmë atmosferën e këtyre të fundit. Mjafton t’i hedhim një sy frigoriferit dhe do vëmë re sasinë e ushqimeve të mbetura. Mish, peshk, bakllava, sërish mish apo qofte, me pak fjalë ushqime që ju shtojnë ndjesinë e fryrjes. Për këtë arsye ka gjithmonë vend për supat e shëndetshme. Supat detoks janë shumë të thjeshta në përgatitje, të shëndetshme dhe mbi të gjitha ideale për të pastruar organizmin nga toksina.

1. Supë me mollë dhe selino : Një mollë në ditë mban doktorin larg për një vit, por një supë me mollë dhe selino do t’ju ndihmojë të tresni yndyrën e gjithë vitit. Për të bërë këtë supë ju duhen 300 gr patate të ëmbla, 150 gr selino, lëng perimesh i parapërgatitur, dy mollë të kuqe, vaj ulliri, kripë dhe kos. Në një enë kaloni pak në skuqje patatet e ëmbla dhe selinon, më pas shtoni lëngun e perimeve dhe lërini të zihen. Merrni mollët dhe kalojini në furrë për disa minuta derisa të zbuten dhe më pas në frulator. Shtoni po ashtu edhe selinon dhe patatet derisa masa të lidhet. Rregulloni sasinë e kripës dhe vajit të ullirit dhe shtoni kos sipas dëshirës.

2. Supë me mollë, finok dhe panxhar : Mesa duket molla është një përbërës shumë i shëndetshëm në shumë receta supash. Para se të bëni këtë supë, duhet të zieni të panxharin, finokun dhe rrepat e kuqe veçmas. Më pas hidhini në një enë qelqi dhe vazhdoni shtypjen e tyre në formë pureje. Shtoni vaj ulliri, kripë, majdanoz dhe pure molle. Përveç shijes së mirë, do të kënaqeni edhe me aromën dhe ngjyrat e kësaj supe.

3. Supë me karrota dhe xhinxher : Supa me karrota dhe xhinxher është një ndër supat më të shëndetshme që mund të provoni. Këta dy përbërës ju ndihmojnë të forconi sistemin imunitar. Fillimisht lani karrotat dhe thajini me letër kuzhine. Grijini në rende dhe vendoseni të zihen në zjarr të avashtë me pak vaj ulliri . Hidhini masës kripën e mjaftueshme dhe një degëz trumzë. Sipër grini xhinxherin dhe pasi të jenë të zier plotësisht kalojini në frulator. Sipas dëshirës mund t’u shtoni bajame të pjekura dhe karafil.

Share With:
Translate »
448 Views