“Të xhelozoj që je bo gjyshe”- Autoironia e Xheraldina Vulës është “tjetër nivel”
Vetëm pak ditë më parë ju bëmë me dije se pas një mungese në ekran, Xheraldina Vula rikthehet sërish me një format te ri. Nëpërmjet disa indikacioneve të vogla ju zbuluam detajet e para duke ju treguar se bëhej fjalë për një show shumë interesant. E dimë që menjëherë nisët të aludonit dhe të mendonit për atë që na pret të dielën. Por nuk keni më nevojë të imagjinoni.
Xheri sapo na zbuloi pak me tepër rreth asaj se çfarë do të ndodhë të dielën në “N’majë të gjuhës” në orën 11:00 në ekranin e RTV21 në Kosovë dhe TV21 në Maqedoni. Ashtu siç shihet në promon e publikuar, emisioni do të ketë të ftuar të ndryshëm, humor dhe biseda shumë të këndshme të udhëhequra nga Xheri që autoironinë e ka armë të fortë. Kjo duket qartë edhe teksa flet per peshën gjatë videos në promo. Njëra nga të ftuarat, Vjosa Berisha, i thotë që e xhelozon që është bërë gjyshe dhe sigurisht që dialogu mes tyre do shkaktonte të qeshura në studio.
Një pjesë e rëndësishme do të jetë edhe këndi i kuzhinës se ndryshe nuk do e kishit “N’majë të gjuhës” këtë program. Por ndryshe nga sa jemi mësuar deri më tani ku personazhet VIP vendosen përballë tavolinës për të gatuar, këtë herë kemi të bëjmë me diçka totalisht ndryshe. Një formulë shumë e veçantë që vjen për herë të parë në një program në ekranet shqiptare.
Shefat më të njohur të restoranteve në Shqipëri e Kosovë, si dhe ata të kuzhinave me famë botërore si franceze apo italiane, do te gatuajnë specialitetet e tyre për të ftuarit e emisionit. Por për të shijuar gatimet e tyre super të shijshme, personazhet e njohur duhet të kalojnë një “provë”.
Burime për “News31” na kanë zbuluar një ndër lojrat më interesante të show-t. Të ftuarve do t’iu paraqiten disa fjalë të vjetra në shqip dhe ata duhet të gjejnë domethënien. Vetëm në rast se japin një përgjigje të saktë, në formë shpërblimi do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet që shefat e kuzhinës kanë përgatitur për ta.
Dhe pa dyshim kësaj atmosfere të ngrohtë nuk mund t’i mungonin edhe notat muzikore. Pergjatë gjithë programit, do të keni mundësi që krahas të tjerash të kënaqni veshët me muzikë të mirë nga zëri i ngrohtë i Vjosa Selmani, instrumentisti Fatjon Miftari dhe kitaristi Arbër Buçinca.
E dimë që gjërat e mira shijohen disa herë. Xheri ka menduar edhe për kete. Në po të njëjtën ditë, “N’majë t’gjuhës” do ta keni në ekranin tuaj edhe në orën 11:00 siç e thamë, por edhe në orën 19:30 përmes ritransmetimit.
Thjesht nga promo-ja dhe nga ajo se çfarë ne ju kemi zbuluar deri tani, e keni marrë shijen e parë të mirë të asaj që do të shohim të dielën apo jo?