Tekste shkollore falas, zbardhen kategoritë që do t’i marrin

Vitin e ri mësimor 2018-2019 do të përfitojnë tekste shkollore falas edhe disa kategori të tjera nxënësish të arsimit parauniversitar. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot ndryshimet që janë bërë në udhëzimin e përbashkët nr. 51 të ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Sipas udhëzimit “Për procedurat e përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve të arsimit parauniversitar”, do të jenë edhe 5 kategori që përfitojnë tekstet pa pagesë, me kusht që t’i rikthejnë sërish në përfundim të vitit mësimor.

Respektivisht do të përfitojnë falas tekstet: fëmijët që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në të katërt, nxënësit që janë i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje, si dhe fëmijët që janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, sipas ndryshimeve në udhëzim edhe fëmijët që janë viktima të trafikimit e marrin ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës, kanë të drejtë të marrin tekste shkollore falas. Ndërkohë në kategorinë e fundit të nxënësve të parauniversitarit që mund të marrin tekste pa pagesë, përfshihen të gjithë ata fëmijë që janë përfitues në institucionet e përkujdesit social rezidencial në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit.

Udhëzimi i përbashkët
Sipas udhëzimit të publikuar dje, tekstet shkollore të arsimit fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt që u jepen nxënësve falas mbulohet në masën 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë. “Për kategoritë e sipërpërmendura, institucioni arsimor/shkolla harton procesverbal të veçantë, ku pasqyrohen kërkesa/porosia për tekste shkollore, lista e nxënësve sipas kategorive të përcaktuara e detajuar për çdo klasë/institucion arsimor si dhe faturat tatimore për blerjen e teksteve në emër të nxënësve së bashku me aktin e marrjes në dorëzim të teksteve nga furnitori/botuesi.

Kopjet origjinale të këtij dokumentacioni dhe kërkesa për financim dërgohen zyrtarisht në njësinë arsimore vendore”, – theksohet në udhëzimin e ndryshuar. Për zbatimin e këtij udhëzimi të firmosur nga Lindita Nikolla dhe Arben Ahmetaj janë ngarkuar Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe njësitë arsimore vendore (DAR/ZA-të).

Kategoritë e nxënësve që marrin tekste falas:

Fëmijët/nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në të katërt.
Fëmijët/nxënësit që janë i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.
Fëmijët/nxënësit që janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Fëmijët/nxënësit që janë viktima të trafikimit e marrin ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës.
Fëmijët/nxënësit që janë përfitues në institucionet e përkujdesit social rezidencial në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit.

Share With:
Translate »
726 Views