Temperaturat e ulëta, Kushi: Kemi kërkuar pajisjen urgjente me ngrohje për 28 shkolla. Reduktohet mësimi në Dibër e Devoll
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, në një reagim në rrjetet sociale thotë se për 28 shkolla në vend është kërkuar në mënyrë urgjente pajisja me sistem ngrohjeje nga ana e bashkive respektive.
“Duke konsideruar prioritet absolut shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë, gjatë gjithë vitit, e veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura tepër të ulëta dhe me ngrica në disa zona malore të vendit, po e ndjekim me shumë kujdes situatën e shkollave në të gjithë territorin e vendit, përmes strukturave tona arsimore. Në komunikim të vazhdueshëm me çdo bashki dhe njësi administrative në vend, kemi kërkuar marrjen e masave në kohë, sigurimin e ngrohjes dhe garantimin e kushteve për zhvillimin e procesit normal mësimor, si pjesë e përgjegjësisë së tyre. Për sa i takon situatës në terren dhe raportimeve në mënyrë të vazhdueshme nga zyrat arsimore, kemi kërkuar në mënyrë urgjente pajisjen me sistem ngrohjeje të 28 shkollave nga ana e bashkive respektive”, shprehet Kushi.
Ministrja thotë se ngrohja e institucioneve arsimore bëhet në disa mënyra. Sipas saj janë 51 institucione arsimore që ngrohjen e kanë me energji elektrike. Edhe në këtë rast është kërkuar nga bashkitë që të merren masa pasi ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre.
“Ngrohja e institucioneve arsimore bëhet në disa mënyra: ngrohje qendrore me kaldajë, kondicionerë, ngrohës me energji elektrike, si dhe sobë me dru ose pelet. Duke vlerësuar këtë përpjekje të përbashkët me institucionet e pushtetit vendor dhe institucione të tjera, u kemi kërkuar bashkive të marrin masa për 51 shkolla ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik por ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre. Gjithashtu, i kemi informuar që të ndërhyjnë në 21 shkolla, ku sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime apo furnizim me lëndë djegëse”.
“Në disa shkolla të zyrave arsimore Dibër dhe Devoll, ku temperaturat janë tepër të ulëta, orët e mësimit janë reduktuar me 10 minuta. Për sa i përket menaxhimit të përbashkët të situatës, vijojmë takimet konstruktive dhe komunikimet e vazhdueshme me kryetarët e bashkive, për t’i falënderuar për bashkëpunimin dhe për t’i kërkuar vëmendje të shtuar në këto ditë të ftohta”, shprehet Kushi.