Ti duash fort fëmijët si autikë si Jona/ Historia e familjes Zajmi që mposhtën stigmën, burim frymëzimi dhe force
Shpesh histori të rrëfyera nga të tjerë kthehen në model, motiv dhe në një moment kthese në jetë.
I tillë mund të jetë dhe rrëfimi i babait të Eljona Zajmit, e cila nga të afërmit e jo vetëm njihet si Jona, vajza me spektër autik dhe motrës së saj.
Të kesh në familje dikë me spektër autik nuk është turp. Këtë ua tregon më së mirë Olta Zajmi me historinë që ndau në “Jeto me Orën”.
Olta Zajmi: Jonën e kam pikën e dobët. Për Jonën jemi të gjithë një. Kur isha e vogël ngaqë nuk e kuptoja gjendjen e Jonës kur dilnim xhiro me mamin, babin dhe Jonën ajo kishte sjelljet e veta dhe unë qëndroja prapa tyre sikur nuk isha me ta. Më vinte turp. Me kalimin e kohës duke parë si e shikonin njerëzit Jonën dhe duke e parë që ajo është motra ime dhe duhet të bëja diçka për të se ndihesha në faj sikur po ma sulmonin. Fakti që dhe unë rrija si indiferente më bënte të ndihem në faj. Lidhja ime me Jonën është bërë dita ditës më e fortë. E rëndësishme për mua është që Jona të jetë mirë e të mos lëndojë veten.
Reflektimi dhe dashuria nuk burojnë nga hiç por nga modele që duhen ndjekur. Një prind si Çlirim Zajmi është një shembull për këdo.
Çlirim Zajmi: Unë i kam përfshirë fëmijët që të kuptojnë se nuk duhet të kenë turp nga motra e tyre. Ja kam ngulit në kokë me gjeste jo vetëm e fjalë. Shembulli bëhet në praktikë me Jonën e kemi trajtuar si nuse. Si e kemi trajtuar ne do ta trajtojnë dhe këto. Shembulli duhet të jetë me gjeste jo me fjalë. Me fjalë të bukura dimë të gjithë puna është të dimë çfarë bëjmë.
Ai thotë që nuk duhet të paragjykohen fëmijët me spektër autik por duhet të kujdesemi për ta.
Çlirim Zajmi: Shumë njerëz thonë “me atë që bën ti je hero”, më quajnë hero. Unë nuk jam hero. Pse quhem hero? Pse pranoj fëmijën tim? Pse dal shëtitje me fëmijën tim. Si çdo vajzë e re. Unë nuk jam Ajnshtajni. Unë kam menduar çfarë ka qejf një gocë e re? Se jona nuk komunikon që ta kuptoj çfarë dëshiron. Me logjikë çfarë ka qejf të ketë një gocë e re? Atë gjë praktikoj dhe unë. Çfarë ka qejf ajo bëj unë.
Ai thotë se nuk është hero, por njerëz të tillë janë heronjtë e vërtetë, prindër të tillë dhe kushdo në këtë Shqipëri të vogël dhe në këtë botë të madhe që di të trajtojë këdo me dinjitet.