Tjetër aksident tragjik në Tiranë, ndërron jetë në spital 17-vjeçari
Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e të dielës në autostradën Tiranë-Elbasan, ku u përplasen dy automjete pranë një qendre tregtare, në afërsi të zonës së Saukut.
Sipas policisë, nga aksidenti ka humbur jetën 17-vjeçari me iniciale K.V., i cili ka ndërruar jetë në spital.
Gjithashtu nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, që ndodhen në spital për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht tre të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 22:00, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan janë përplasur dy automjete. Si pasojë e përplasjes nga plagët e marra ka ndërruar jetë në spital shtetasi; K. V.,17 vjeç, ndërkohë për ndihmë mjeksore kanë shkuar dhe tre shtetas të tjerë pa probleme për jetën Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, ku po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të aksidentit.
Kujtojmë që orët e para të së shtunës një tjetër aksident tragjik ndodhi në fshatin Bërzhitë të Tiranës, ku humbën jetën dy vajza 17-vjeçare dhe u plagosën dy të mitur, dhe drejtuesi i mjetit, 18-vjeçari, Francesko Shaba. Ky i fundit u arrestua nga policia, pasi e drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe nuk posedonte patentë. Adoleshentët po ktheheshin nga një festë ditëlindjeje.