Tragjedi dyfishe në familjen Kasapi: Edhe djali i Shpatit ka probleme shëndetësore

Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi, në moshën vetëm 40-vjeçare, ka tronditur familjen, miqtë dhe publikun shqiptar. Artistit iu dha ndihma e parë mjekësore në banesë, por për fat të keq nuk mundi të mbijetojë. Dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një arrest kardiak.

Kasapi ndodhej në Itali së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tyre 4-vjeçar, Roelin. Familja ishte nisur prej ditësh drejt një spitali pediatrik për një kontroll të specializuar, pasi i vogli po përballej me probleme shëndetësore që kërkonin trajtim më të avancuar. Pikërisht gjatë kësaj periudhe të vështirë, të mbushur me stres, lodhje dhe shpresë, ndodhi edhe tragjedia.

Vëllai i artistit, Albini, tha në një prononcim se lajmi i marrë nga Italia i kishte shokuar të gjithë dhe se për orë të tëra kishin shpresuar që të mos ishte i vërtetë. Ai konfirmoi se Shpati kishte pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por asgjë që të paralajmëronte një fund kaq të papritur.

Bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ka reaguar publikisht për herë të parë, duke rrëfyer se Shpati ndërroi jetë në krahët e saj. Ajo hodhi poshtë gjithashtu çdo aludim mbi marrëdhënien e çiftit, duke theksuar se ata kishin qenë më të bashkuar se kurrë në përballjen me sfidën shëndetësore të të birit.

Humbja e Shpat Kasapit ka lënë një boshllëk të madh në familjen e tij dhe te publiku që e ka ndjekur për vite me radhë, ndërsa i biri i tij i vogël po vijon trajtimin mjekësor në Itali.

Share With:
Translate »
95 Views