Trajtim të posaçëm ekonomik për familjet e të mbijetuarve nga tërmeti
Familjet e të mbijetuarve nga tërmeti do të marrin një trajtim të posaçëm. Këto familje do të marrin një shpërblim prej 1 milion lekësh për të përballuar shpenzimet për varrimin, fëmijët do të marrin një bursë mujore prej 15 mijë lekësh nga klasa e parë deri në vitin e fundit të Universitetit, ndërsa pensionistët e familjeve të viktimave do të marrin pensionin e veçantë të Republikës së Shqipërisë.
“Projektvendimi që lidhet përsëri me përkrahjen sociale dhe financiar të familjeve të viktimave është projektvendimi që ka të bëjë me akordimin direkt të një përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja për çdo familje dhe patjetër për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja nga ky vendim i qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Edhe familjet e dy vëllezërve nga komuna e Gjilanit, Shemsedin Abazi, 32 vjeç dhe Isah Abazi, 29 vjeç, që humbën jetën pas shembjes së hotelit “Tropikal” në Durrës, do të marrin 1 milion lekë./