Tre fëmijët e vegjël nuk e dinë se nëna e tyre s’jeton më, daja i viktimës: Mbesa dhunohej shpesh

Ana dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti. Ajo e ka denoncuar të shoqin disa herë në polici, pasi ai ishte xheloz dhe i dhunshëm. Çlirim Shahollin e mbanin disa orë në polici dhe pastaj e kthenin në shtëpi. Edhe pse ai e rrihte, Ana nuk e hapte gojën për hir të fëmijëve”. Kështu deklaroi dje daja i 40-vjeçares Ardiana Shaholli, e cila u vra mbrëmjen e së premtes nga burri i saj 42-vjeçar. Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në banesën e çiftit, në lagjen nr.15 të qytetit të Durrësit, të afërmit e viktimës kanë zbardhur detaje të reja. Dëshmitë e tyre hedhin poshtë versionin e dhënë pas vrasjes nga autori i krimit, i cili deklaroi se gjithçka ndodhi pas një sherri banal dhe se ai vetëm e kishte shtyrë nënën e 6 fëmijëve dhe më pas kjo e fundit ka rënë me kokë në dysheme.

“Që kur u martuan, Çlirimi e dhunonte mbesën time. Ai vuante nga sëmundja e xhelozisë”, tha Tahir Muço, daja i viktimës. Ndërkaq, ky i fundit u shpreh se 40-vjeçarja punonte në një lavanteri, ndërsa i shoqi nuk punonte. “Çlirimi nuk ka punuar asnjëherë. Ajo kishte 1 muaj që punonte në lavanteri. Ne i thoshim të divorcohej, por ajo thoshte se kam për të rritur fëmijët. Ana i ka rritur fëmijët me ndihma, pasi janë shumë fukarenj. Tani fëmijët kanë mbetur në mes të rrugës”,- pohoi Muço. Ndërkohë, nusja e dajës së viktimës, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tha se autori i krimit ishte pijanec.


Si e njihnit çiftin?
Çifti jetonte në skamje, në mjerim. Ana ishte grua shumë e mirë, punëtore, e urtë, nuk i ndihej zëri i gojës. Nuk e hapte njëherë gojën që të ankohej. E kam mbesën e burrit. Im shoq e ka gocën e motrës.

A kishin konflikte, sherre bashkëshortët Shaholli?
Kanë pasur herë pas here. Me çfarë dëgjojmë këtu, pasi ne nuk kemi qenë këtu përditë, ngjarja e rëndë ka marrë shkas nga skamja, mjerimi. Burri i Anës është pijanec. Pinte dhe nuk punonte. Ai nuk ka punuar asnjëherë.

Po ajo punonte?
Po ajo kishte filluar punë. Punonte herë pas here. Por nuk e linte i shoqi të punonte se ishte xheloz. I thoshte pse punon. Në skamje e nuk e linte të punonte. Me 6 fëmijë, gjynah. Herë me bukë e herë pa bukë.

Çfarë bëhet tani me fëmijët e mbetur jetimë?
Nuk di çfarë të them. Nuk na e priste mendja se Çlirim Shaholli do të arrinte deri këtu. Se për të rrahur, ai e ka rrahur sistematikisht Anën dhe ajo s’e hapte gojën asnjëherë.

Drama në familjen Shaholli, 3 fëmijët e vegjël të çiftit nuk e dinë për vdekjen e nënës

Zi dhe lot në familjen Shaholli në Durrës. Pasditen e djeshme, rreth orës 15:00, 40-vjeçarja është përcjellë në banesën e fundit nga miq, të afërm dhe të njohur. Por dhimbja nuk ka fund. 6 fëmijët e saj, ku më i madhi 17 vjeç(maturant) dhe më e vogla 8 vjeçe kanë mbetur jetimë. Të afërm të viktimës dje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se vetëm 3 fëmijët e mëdhenj e dinë se nëna e tyre është vrarë nga babai. Ndërsa 3 fëmijët më të vegjël ende nuk e dinë fundin tragjik të nënës së tyre. Mësohet se këta të fundit janë marrë nga një shoqatë dhe janë dërguar në një kamp veror. Askush nga të afërmit nuk e dinë se çfarë do të bëhet me 6 fëmijët e çiftit. Ata u shprehën se familja Shaholli jetonte në skamje dhe se nuk ngopnin as barkun me bukë. Ishte nëna e tyre që bënte të pamundurën për t’i rritur, pasi babai i tyre nuk ka punuar qoftë dhe një ditë të vetme që kur është martuar.

Share With:
Translate »
843 Views