Tromboza e venave të thella, shanset e mpiksjes së gjakut në mesin e grave shtatzëna
Tromboza e venave të thella (DVT), është një mpiksje gjaku (tromb) që ndodh në venat e thella të këmbës së poshtme (më së shpeshti), kofshës, legenit ose krahut.
Një mpiksje gjaku mund të pengojë që gjaku të kthehet në zemër ashtu siç duhet. Mes tjerash, mpiksja mund të udhëtojë edhe në pjesë të tjera të trupit dhe të shkaktojë bllokime tutje, shkruan burimi Baby Center përcjell Gazeta Shneta.
Po ashtu, një mpiksje gjaku e patrajtuar mund të shkëputet brenda venës dhe të udhëtojë në arteriet e mushkërive, ku mund të shkaktojë një emboli pulmonare (PE). Embolia pulmonare, mund të jetë fatale, pasi mund të ndalojë oksigjenimin e gjakut brenda mushkërive. Ndodh në 1 në çdo 1600 shtatzëni dhe përbën 9 për qind të vdekjeve të nënave.
Mpiksjet e gjakut gjithashtu mund të formohen më afër sipërfaqes së lëkurës. Kjo quhet trombofleti sipërfaqësor dhe është më pak serioz se mpiksja e gjakut në venat e thella. Nëse keni trombofleti sipërfaqësor, mund të përjetoni skuqje, dhimbje dhe madje edhe një infeksion të lëkurës në zonën përreth.
Gratë shtatzëna gjithashtu mund të kenë mpiksje gjaku në venat ovariane, kordonin e kërthizës dhe placentën. Kur mpiksjet përfshijnë placentën ose foshnjën, ato mund të ndërpresin rrjedhën e gjakut dhe të shkaktojnë abort, kufizim të rritjes ose lindje të fetusit të vdekur.
– Sa është e zakonshme tromboza e venave të thella në shtatzëni?
Gratë që janë shtatzënë kanë pesë herë më shumë gjasa të kenë mpiksje gjaku sesa gratë që nuk janë shtatzënë. Ato janë gjithashtu në rrezik më të lartë gjatë lindjes dhe deri në 3 muaj pas lindjes.
Tromboza e venave të thella, ndodh në 1 në 500 deri në 2000 shtatzëni. Rreziku i mpiksjes së gjakut është më i lartë në javën e parë pas lindjes, kur rritet me 100-fish.