Turi këto fjalë ia thotë vëllait vetëm për ditëlindje

Ka vëllezër e vëllezër. Disa janë shokë për kokë, disa nuk dalin dot nga raporti “Unë jam vëllai i madh.” Në fund të fundit, dikush duhet të jetë autoritar në familjle, sidomos nëse në shtëpi mungon figura e babait. Kështu ka qenë për shumë vite edhe në familjen e moderatorit dhe producentit Turjan Hysko. Për familjen, ai ka folur rrallë dhe në ato pak raste, nuk e harron asnjëherë kohën kur duhet të merrte timonin e shtëpisë. Ishte vetëm 20 vjeç kur i ati u nda nga jeta dhe, dashje pa dashje, kuptoi që ishte bërë burri i shtëpisë. Kishte të ëmën dhe një vëlla vetëm 12-vjeçar që sytë i kthyen natyrshëm tek ai.

Dhe, po aq natyrshëm u kthye në figurën mashkullore me autoritet në familje. Edhe në vëllain e madh që duhet të kujdeset për më të voglin, Eljon. Sot, ky i fundit është shumë krenar dhe mirënjohës ndaj Turit për gjithçka ai ka bërë për të dhe familjen. Edhe pse prezantimi i shoqërohet gjithmonë me “vëllai i Turjan Hyskos, nuk ndihet aspak keq, përkundrazi.

Sot, i ftuar në “Rudina”, Eljo, veç projekteve dhe raporteve që ka krijuar me politikën dhe FRESSH-in, foli edhe për raportin e veçantë që ka me vëllanë. Turi, edhe për shkak se e mori shpejt rolin e burrit të shtëpisë, duket se e ka ruajtur këtë rol ende edhe sot, vazhdon të jetë kritiku dhe këshilluesi më i mirë për Eljon: “Është si një mentor për mua”, – thotë Eljo, por shton se marrëdhënia e tyre ka disa dimensione, nuk është gjithmonë miqësore, shoqërore: “Varet, ka disa dimensione. Kryesisht, ai është shok me mua, por më thotë gjithmonë “Eljo, shiko këtë”, “Bëj këtë”, “Merru me stërvitje” etj.” – rrëfen kryetari i FRESH-it.

Megjithatë, Turi e kishte një mesazh për vëllanë e vogël sot nga “Rudina”. Përmes një videomesazhi, ai tha se pavarësisht se nuk flet shpesh për të, për shkak se nuk do të ndikojë e ta lërë të ketë profilin e vet, në ditë si kjo, nuk mund të rrijë pa e thënë: “Eljo është vëllai më i mirë në botë dhe e dua shumë”, – tha Turi nga ekrani.

Me një buzëqeshje të ngjashme me atë të vëllait, Eljo tha se ia thotë këtë deklaratë: “Një herë në vit, për ditëlindje, ma thotë këtë” – tha ai me të qeshur, por e di mirë se ka një vëlla të rrallë, i cili e ka bërë krenar vetëm për profilin publik që ka krijuar, por sidomos për Turin që është jashtë atij profili.

Share With:
Translate »
977 Views