U birësua kur ishte 2-vjeç, përfundon ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të pajetë të 32-vjeçarit Lear Kurti

Ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të pajetë të 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili ndërroi jetë në komisariatin nr.3 në Tiranë, në rrethana ende të paqarta. Ngjarja ndodhi pak para mesnate.

Pasi përfundoi ekspertiza, familjarët kanë tërhequr trupin e pajetë të të riut. Ndërkohë, po sot do të bëhet ceremonia mortore e të riut, i cili do të përcillet pasditen e sotme drejt banesës së fundit.

Babai i Lear Kurtit, Artur Isai, tregon për mediat se nuk është babai biologjik i tij, por adoptues. Arturi tregon se e ka marrë të riun kur ishte 2 vjeç nga shtëpia e Fëmijës për ta rritur bashkë me të shoqen ndërsa sot e kërkon nëpër dyert e morgut për t’i parë trupin.

Kujtojmë se AMP në një komunikim zyrtar tha se gjatë shoqërimit të tij me një patrullë dhe pas mbërritjes së tij në komisariatin nr.3 i riu kishte ndjerë shqetësime dhe ishte dërguar në spitalin e Traumës, ku kishte gjetur vdekjen. Por burime nga spitali i Traumës thanë për News24 se i riu kishte shkuar në këtë institucion i pajetë.

Është mësuar më parë se Lear Kurti kishte probleme me ligjin.

Gjykata e Apelit në Tiranë do të shqyrtonte një proces gjyqësor në ngarkim të Lear Kurtit me akuzën e falsifikimit të kartmonedhave të kryer në bashkëpunim. Kurti ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2016, por vendimi u apelua nga prokuroria e Tiranes pasi ka kërkuar dënim dhe fajësi. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 25 tetor në gjykatën e Apelit.

Share With:
Translate »
159 Views